Arbëri

“Natën e 22 dhjetorit Delawie e ftoi Haradinajn në lozhë, Veseli po e ndiqte situatën”

21:15 - Deklarata krejtësisht pa vizion, i quan Mimoza Kusari Lila ato që së fundmi po i lëshojnë politikanët në pushtet.

Sipas saj, Veseli, Thaçi e Haradinaj po punojnë vetëm për interesa të tyre personale dhe kjo tashmë është e qartë.

“Të kundërtën nuk mund ta vërtetojnë as ata vetë tashmë”, theksoi ajo, në Rubikon të KTV-së.

Sipas saj, kjo po ndodh për shkak se gjërat nuk po ju shkojnë në mënyrë të strukturuar siç u ka shkuar më herët.

“Përderisa votoheshin amendamentet një nga një, në një moment e kam pa kryeministrin Haradinaj që ka shku të pjesa lartë, te pjesa e mysafirëve, e ka ftu më duket ambasadori amerikan dhe e kam pa një skenë që sikur t’kisha qenë në pozitën e kryeministrit Haradinaj nuk e di si kisha vazhdu nesër e pasnesër të punoj njëjtë. Ai veç ka bërë me kokë nuk e di nëse ka pohu ose mohu mirëpo ka tregu për pranim të informatës ndërsa Veseli ka qenë gjithmonë duke e përcjell këtë situatë”, ka thënë Kusari Lila.

“Në krejt këtë skenar e shohim se ai ka qenë një ndër akterët dhe pastaj e shohim një shkrim, për çka ne që e dëgjojmë në Kuvend e dimë saktë se nuk e ka shkruar vetë. Dhe së fundmi del me një deklaratë absurde nga masakra e Reçakut dhe deklaron që nëse Serbia tenton diçka me bë në Kosovë, ne nuk ndalemi deri në Nish”, shtoi tutje ajo.


O’Connell u kishte treguar deputetëve se çka e pret Kosovën nëse e zhbëjnë Specialen

21:01 - Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari Lila duke folur për natën kur u provua zhbërja e Gjykatës Speciale përmendi paralajmërimin që bëri ambasadori anglez, Ruari O’Connell.

“Më e rënda ka qenë kur ambasadori anglez ka përmend edhe tërheqjen e trupave të KFOR-it në rast të tërheqjes së Kosovës nga obligimet ndërkombëtare, në takim me GP të LDK-së, po ashtu edhe pasoja tjera juridike si krijimi i një tribunali tjetër të sponsorizuar nga Rusia në Këshillin e Sigurimit dhe mosdëshirën e ndërhyrjes së vendeve mike për ta parandaluar atë iniciativë”, ka thënë ajo.


Kusari Lila flet për të gjitha prapaskenat e natës së seancës për zhbërjen e Speciales

20:41 - Orët e vona dhe frika se diçka shumë e keqe është gati t’i ndodhë Kosovës e bën Mimoza Kusari Lilën të tërheqë një paralele mes ngjarjeve të marsit 2004 me ato të natës kur në Kuvend u thirr seanca për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Në Rubikon të KTV-së, ajo shpjegoi se si i kishte parë lëvizjet e deputetëve, sidomos atyre të AAK-së, pak para se kryeparlamentari, Kadri Veseli t’u kumtojë lajmin deputetëve se po atë natë do të thirret seanca.

“Atë natë e kemi kuptu që udhëhiqemi nga njerëz krejtësisht të papërgjegjshëm... Unë e kam kuptuar nga Iliri që një përpjekje e tillë është serioze dhe vetëm prezenca në sallë e ambasadorit amerikan na bëri të kuptojmë se me të vërtet ajo iniciativë planifikohej të shtyhej atë mbrëmje”, ka thënë ajo.

“Më kujtohet ministri Lekaj ishte tërë kohën në lëvizje”, shtoi tutje Kusari-Lila.

Sipas saj, sa herë që ndodh një proces i rrezikshëm për shtetin e Kosovës ndërlidhen ngjarje dhe protagonistë të njëjtë.

“Disa edhe tash që janë shfaq që janë të dënuar, rasti i Shpëtim Mehmetit për ngjarjet që lidhen me atë kohë, në moment të caktuara kur bëhen kthesa, rasti veriut dhe Ivanoviqit. Mundet dikush të bëj skenare për Kosovën, po pse kosovarët duhet gjithmonë të jenë dhe të sillen e të aktrojnë siç e kërkon dikush për të keqen e Kosovës në një skript që shkruhet diku tjetër”, ka thënë ajo.

Kusari-Lila theksoi se pamundësia që natën e 22 dhjetorit të shkojë ligji për shfuqizimin e Gjykatës Speciale i atribuohen Lëvizjes Vetëvendosje.


Pamundësia e Thaçit dhe të tjerëve për ndikim te Specialja i shtynë ata të jenë kundër saj

Pamundësia që të ketë ndikim mbi Gjykatën Speciale po bën që presidenti Hashim Thaçi tash të ndryshojë qëndrimin ndaj saj dhe të iniciojë shfuqizimin.

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila në një intervistë për Rubikon të KTV-së, ka thënë se edhe në gjyqësorin vendor po edhe në atë të Eulex-it ndikimi i dy krerëve, Thaçit dhe kryeministrit Ramush Haradinaj është i qartë.

Sipas saj, deri tash, Specialja është i vetmi institucion në Kosovë i cili ka pas kredibilitet dhe nuk ka pas rrjedhje të informatës.

“Është i vetmi institucion ku gënjeshtra nuk ka pas kredibilitet se deri më tash në secilin proces kemi pas fjalë, thashetheme që pastaj janë verifiku... Mendoj që drejtpërdrejt apo indirekt po tregon që bashkë me strukturën e vetë politike dhe grupet e tjera të interesit që sot janë në Kosovë përfshirë edhe qeverinë edhe kryeministrin Haradinaj kanë arritur të shtrojnë ndikimin e vetë në gjykatat vendore, në gjykatën Themelore, në gjykatën Supreme”, ka thënë ajo.

“I vetmi dallim është që ndoshta këtu mund të kenë pas ndonjë informatë çfarëdo për emër por pa asnjë ndikim. Derisa kemi informacione, incizime, verifikime se si emërohen prokurorët, disa prej tyre”, ka thënë ajo.

“Tash së fundmi e kemi pas rastin kur një udhëheqës i lartë i Policisë së Kosovës përfshihet në një rrahje pa marrë parasysh motiveve”, ka thënë Kusari Lila.

E gjithë kjo po bëhet për mbrojtjen e interesave personale dhe në këtë nuk ka aspak dyshim sipas Kusari-Lilës.