Arbëri

KEK-u nisi rrënimin e shtëpive në Shipitullë

Descriptive Text

Në kuadër të zgjerimit të mihjesë së re, në zonën ku janë bërë shpronësimet në fshatrat Hade e Shipitullë, sot ka filluar edhe rrënimi i objekteve të para të cilat janë në afërsi të vendpunimeve.

KEK-u përmes një komunikate për media, thotë se rrënimi i këtyre objekteve është duke u bërë në kuadër të implementimit të masave të sigurisë.

“Pra i jemi ofruar deri në distancën minimale të lejuar perimetrit të shtëpive dhe për të ndërmarrë masat e plota të sigurisë kemi filluar rrënimin e tyre. Gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve tona dhe në vendin ku kanë filluar punën ekipet e rrënimit dhe për të qenë siguria në nivelin me të lartë, kanë mbikëqyrur punimet edhe Policia e Kosovës. Fatmirësisht nuk ka pas asnjë ekses gjatë kësaj pune dhe gjithçka ka shkuar sipas planifikimeve të parapara dhe në marrëveshje të plotë me të gjitha palët”, thuhet ndër të tjera.

Tutje thuhet se disa banorë të këtyre fshatrave kanë qenë aty gjatë kohës sa janë zhvilluar këto punime dhe përveç disa pakënaqësive të shprehura nga një numër i vogël i tyre nuk ka pasur asnjë insistim apo konflikt.

“Ne i kuptojmë shqetësimet e disa banorëve duke pasur parasysh edhe ndjeshmërinë për zhvendosje nga tokat dhe shtëpitë e tyre, por siç e dinë edhe ata dhe gjithë qytetarët, KEK-u në koordinim më të gjithë akterët tjerë në këtë proces ka dhënë maksimumin për të përmbushur të gjitha kërkesat banorëve dhe po respektohen standardet më të larta ndërkombëtare për zhvendosje”, thuhet aty.

Kurse sa i përket edhe procesit të nënshkrimit të kontratave me banorët dhe kryerjes së obligimeve financiare përveç zonës së parë e cila tashmë ka përfunduar me një dinamikë të njëjtë jemi duke punuar edhe më përfundimin e tri zonave të tjera.