Arbëri

Surroi: Ja me cilat porosi do të kthehej delegacioni i Kosovës po të merrte pjesë në varrimin e Ivanoviqit

Shkrimtari e publicisti Vetos Surroi sot në Facebook ka shkruar rreth debatit të zhvilluar lidhur me deklarimin e tij se pjesëmarrja e Kosovës në varrimin e Oliver Ivanoviqit në Beograd, do t’i bënte mirë vendit, transmeton Koha.net.

Nga kjo pjesëmarrje,ka thënë Surroi, delegacioni do të dërgonte 6 porosi ndër të cilat kryesorja do të ishte ajo se populli i Kosovës është kundër dhunës politike.

Se cilat janë ato porosi që do të mund të vinin nga delegacioni ynë lexoni në postimin e Surroit:

“Pash edhe sot debat në Facebook e media të tjera , sociale apo jo, lidhur me deklarimin tim se institucioneve të Kosovës do t'u bënte nder pjesëmarrja në varrimin e Oliver Ivanoviqit. Ka pasë një shpërthim emocional, me gjasë edhe për shkak të faktit se ideja mbeti e pazbërthyer. Ja si do të dukeshin "talking points", sikur të kishin marrë pjesë.

Porositë që sot i dërgoi Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke marrë pjesë në varrimin e Oliver Ivanoviqit

1. Oliver Ivanoviqi ishte ish deputet i Kuvendit të Kosovës. Kuvendi i Republikës së Kosovës ndien obligim që të marrë pjesë në varrimin e ish-deputetëve të vet, qoftë kur ata varrosen brenda shtetit apo jashtë tij.

2. Me pjesëmarrjen tonë tregojmë se jemi kundër dhunës politike. Atentatin politik ndaj tij e kuptojmë si sulm ndaj të drejtës së qytetarëve të Republikës së Kosovës për pjesëmarrje aktive politike, pra si një sulm ndaj vlerave elementare të Republikës së Kosovës.


3. Ka ekzistuar dhe ende ekziston akuza ndaj të ndjerit O.Ivanoviq për krime lufte më 1999 dhe për vrasjet e vitit 2000. Ardhja jonë nuk është për të absolvuar përgjegjësinë e kujt; zoti Ivanoviq u dënua në shkallë të parë dhe u dërgua në rigjykim me vendim të shkallës së dytë. Të vërtetën juridike tashmë do të kemi të pamundur ta gjejmë. Përkundër animozitetit të madh që mund të krijohet në shoqërinë tonë, ardhja jonë këtu tregon përkushtimin ndaj sundimit të ligjit: çdo njëri është i pafajshëm deri sa të dëshmohet e kundërta. E vërteta do t'i mbetet hulumtuesve të të drejtave të njeriut dhe historianëve, por në fund të gjithë do të ballafaqohemi me të.
 

4. Zoti Ivanoviq ka qenë i bindjeve krejtësisht të ndryshme prej tonave sa i përket Republikës së Kosovës dhe ardhmërisë së saj. Bindjet e tij u përpoq t'i avancojë në debat publik e politik. Jemi këtu për të treguar se Republika e Kosovës respekton dhe do të respektojë të drejtën e të menduarit ndryshe dhe vepruarit politik në saje të këtyre bindjeve.
 

5. Vrasjen e zotit Ivanoviq e kemi kuptuar dhe kuptojmë si pjesë të zhvillimeve të përhershme negative të një pjese të Republikës së Kosovës në të cilën , për fat të keq, nga paslufta e këtej nuk sundon ligji apo nuk sundon mjaftueshëm për të garantuar sigurinë e qytetarëve tonë. Republika e Serbisë mund të na ndihmojë duke përmbyllur kapitullin e strukturave paralele në Republikën e Kosovës.
 

6. Qytetarët e Republikës së Kosovës, që të gjithë, kanë nevojë që konflikti të përfundojë. Duke u ballafaquar me të kaluarën, duke siguruar të tashmen, duke projektuar ardhmërinë”.