Grubi: Askush s’mund të ndalë barazinë mes shqiptarëve dhe maqedonasve

Grubi: Askush s’mund të ndalë barazinë mes shqiptarëve dhe maqedonasve

17 janar 2018 22:12

Kryetari i grupit parlamentar të BDI-së, Artan Grubi, ka thënë se koalicioni qeverisës nuk do të dorëzohet për Ligjin për gjuhën shqipe, pas refuzimit për dekretim nga ana e presidentit maqedonas Gjorge Ivanov.

Në një bisedë për Koha.net, Grubi ka thënë se Kuvendi do të shfrytëzojë afatin e vet ligjor prej 30 ditësh për rivotim dhe do të detyrojë kryetarin që të dekretiojë ligjin.

Ivanov sot u deklarua se nuk do të dekretojë Ligjin për gjuhën shqipe sepse “më 11 janar, Kuvendi e votoi ligjin pa debat publik, pa përfshirjen e ekspertëve akademikë dhe pa opozitën”. Ai ka thënë se me miratimin e këtij ligji është keqpërdorur flamuri evropian. Tani sipas dispozitave ligjore në Maqedoni, Kuvendi e shqyrton përsëri ligjin dhe nëse e miraton me shumicë votash, kryetari detyrohet ta nënshkruajë dekretin.

“Në përputhje me procedurën, Kuvendi ka 30 ditë për rivotim të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe ne do ta rivotojmë përsëri në seancën e parë të radhës, me shpresë edhe me shumicë më të madhe në Kuvendin e Maqedonisë me ç’rast do të përfundojnë të gjitha sfidat për miratimin e këtij ligji kaq të rëndësishëm”, ka thënë ai.

Sipas Grubit, Ivanovi me vendimin e sotëm nuk arriti të përmirësojë imazhin e vet te shqiptarët e as të lë gjurmë në rrumbullakësimin e pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit.

“As Ivanovi, e askush tjetër s’mund t’i dalë përpara dhe ta ndalë barazinë midis shqiptarëve dhe maqedonasve në vend sepse ajo është rruga e vetme drejt një shoqërie kohezive dhe të barabartë”, ka thënë më tej Grubi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme