Arbëri

Haziri: Ivanoviq u vra nga serbët, kriminelët serbë ndodhen në parlamentin e Kosovës

Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ngjarja e sotme në Mitrovicë, ku u vra politikani serb Oliver Ivanoviq, është një ngjarje që tregon edhe njëherë problemet mes serbëve.

Sipas tij Hazirit, edhe presidenti Serb Aleksandar Vuçiq, e di mjaft mirë se në Mitrovicë, serbët kanë ngritur klane kriminale dhe po luftojnë njëri-tjetrin.

Ndërsa i bëri apel presidentit dhe kryeministrit të Kosovës, që të angazhohen për të larguar kriminelët nga Kosova, të cilët sipas tij janë edhe pjesë e parlamentit të Kosovës, nën logon e Listës Serbe, transmeton syri.net.

“Sigurisht që Vuçiq e di çfarë po ndodh me serbët në Kosovë. Serbët e Kosovës janë të varur nga Beogradi. Ai është i përfshirë në problemet e tyre si president por edhe si njeri, prandaj ai është mirë që t’i shohë problemet brenda shtëpisë së tij dhe mos të përzihet me Kosovën. Problemet që dalin në shtëpinë e serbëve nuk mund të pastrohen në Kosovë”, ka thënë Haziri.

“Nga ana tjetër presidenti i Kosovës dhe kryeministri i Kosovës, duhet të angazhohen për të larguar kriminelët nga Kosova. Ne jemi të informuar se një pjesë e këtyre kriminelëve janë pjese parlamentit të Kosovës. Bëhet fjalë për deputetë të Listës Serbe”, ka thënë ai.