Arbëri

Haradinaj: Dialogu aktual është konsumuar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se pala kosovare është e habitur me vendimin e palës serbe për ndërprerjen e dialogut në Bruksel, pas vrasjes së Oliver Ivanoviq, ndonëse e pranoi se dialogu aktual është i konsumuar.

Ai këto komente i bëri pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku është biseduar për gjendjen e sigurisë në vend, pas vrasjes së kreut të Iniciativës Qytetare për Liri, Demokraci e Drejtësi në veri, Oliver Ivanoviq.

“Ne jemi habit me vendimin e delegacionit të Serbisë në bisedimet në Bruksel edhe ashtu dialogu është në një fazë kritike, për shkak se mendojmë se dialogu i tillë çfarë ka ekzistuar deri tani, është i konsumuar. Qëndrimi i delegacionit të Kosovës i kryesuar nga Avni Arifi, dje ka qenë me partnerët e BE-së se duhet të kalojmë në fazën finale të dialogut që nënkupton njohjen reciproke. Pra, të bisedohet për njohjen dhe të përgatitet një platformë për të”, tha Haradinaj, transmeton kp.

Haradinaj ka folur edhe për deklaratën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, i cili gjatë ditës së djeshme ka thënë se “nëse Serbia tenton të hyjë në Kosovë, kësaj radhe nuk do të ndalen deri në Nish”.

“Ana tjetër e deklarimeve, të them të drejtën deklarimet politike kanë peshë, asnjëherë ato nuk janë me u neglizhua, por është shumë më kërkcënues lajmi se Serbia synon me u armatos me raketa që mbërrijnë të gjitha destinacionet e Kosovës. Pra, në këtë rast nuk do të ishte dashur ne të shkojmë në dialog, pas këtij lajmi, e jo ata me reagua për deklarimet politike të një udhëheqësi të Kosovës. Pra, ju e dini shefi i shtabit të ushtrisë Serbe, vërtet ka deklaruar se synojnë kompletimin e sistemit të tyre raketor me distancë që mbërrin Kosonë, kjo është shqetësuese”, tha Haradinaj.