Arbëri

Kronikë e KTV-së për vrasjen e Oliver Ivanovqit

Udhëheqësi i Iniciativës qytetare, SDP Oliver Ivanoviq, është vrarë në Mitrovicën Veriore mëngjesin e sotëm. Politikani serb nuk u ka mbijetuar plagëve të marra nga plumbat, derisa është qëlluar kur po hynte në zyrën e partisë së tij. Policia e Prokuroria, rastin është duke e cilësuar si vrasje të rëndë, por ende nuk ka asnjë të dyshuar, raporton KTV.

Do të duhej të ishte një e martë e zakonshme për liderin e SDP-së, Oliver Ivanoviq.

Por, derisa po hynte në zyrën e tij këtu në Mitrovicë Veriore, është qëlluar me 4 plumba nga një veturë që ishte në lëvizje.

Plagëve të marra, 64-vjeçari nuk u ka mbijetuar dhe vdekja e tij është konstatuar vetëm pak minuta pas orës 8:00 të mëngjesit.

Në rrugën ‘Sutjeska’, pak metra larg urës mbi Ibër, ku ka ndodhur vrasja, kanë dalë hetues të policisë e zyrtarë të Prokurorisë.

KTV-ja ka folur me dëshmitarët e njëjtë, por ata kanë thënë se nuk kanë qenë aty në momentin e vrasjes.

Tashmë, Policia ka ofruar një shumë prej 10 mijë eurosh për këdo që jep informacione për sulmuesit e Ivanoviqit.

Rasti është cilësuar si vrasje e rëndë e bazuar në rrjedhën e saj, është planifikuar mirë.

Dëshmitarët kanë treguar se ditët e fundit, situata ka qenë përgjithësisht e qetë, derisa kanë shpjeguar momentin kur e kanë gjetur duke u djegur veturën “Opel Astra” pa targa.

Oliver Ivanoviq, megjithatë është konsideruar si politikan i moderuar serb dhe gjithashtu ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e parë në vitin 2001 deri në 2004.

Ai ka qenë cak i sulmeve edhe më herët, kur i ishte djegur vetura personale në korrik të vitit të kaluar.

Oliver Ivanoviq ka qenë duke u gjykuar për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare.