Arbëri

Kundër-korrupsioni detyron Ministrin Ismajli të heqë dorë nga kafiteritë

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), përmes një vendimi të publikuar në ueb-faqen e saj, ka bërë me dije se ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka hequr dorë nga menaxhimi i dy bizneseve private “Bon Vivant” dhe “Tranquille” me ç’rast ka shmangur konfliktin e interesit.

Në vendim, AKK thotë se menaxhimi i tyre paraqet konflikt të mundshëm interesi në bazë të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

AKK, në vendim, thotë po ashtu se Ismaili është pajtuar me gjendjen, por është arsyetuar se nuk ka qenë i informuar, “por ka deklaruar se do të veprojë sipas ligjit në fuqi për të parandaluar situatën e mundshme të konfliktit të interesit duke sjellë dëshmi se nuk do të figurojë si person i autorizuar në këto biznese”.

“Pas këtyre veprimeve, nga z. Uran Ismaili, Ministër i Shëndetësisë, kemi pranuar dokumentet zyrtare të lëshuara nga ARBK-ja, ku dëshmohet se zyrtari i lartë, Uran Ismaili, nuk figuron më si person i autorizuar në bizneset private me emër ‘Bon Vivant’ dhe ‘Tranquille’”, ka thënë AKK në vendimin e saj, raporton Koha.net.

AKK thotë se me këtë veprim, ministri ka shmangur gjendjen e mundshme e konfliktit të interesit, mirëpo ka thënë se rasti mund të rihapet në çdo kohë kur mund të paraqiten rrethana tjera.

Ndërkaq, ministri Ismaili, në emisionin 038 të KTV-së, të premten ka thënë se nuk do të heq dorë nga bizneset si pronar, por vetëm si menaxher, që nënkupton se heq dorë nga vendosja e nënshkrimit të tij për çështjet që i takojnë atyre bizneseve.

Ai po ashtu ka thënë se nga AKK atij i është kërkuar vetëm kjo, pra që të mos nënshkruajë në emër të bizneseve, pronar i së cilave ka qenë dhe vazhdon të jetë.

“Nuk mund të nënshkruajë kontrata në bizneset e mia, sepse të njëjtën gjë e bëj edhe në postin publik të ministrit të Shëndetësisë”, tha Ismaili për 038.

Vendimi i AKK-së për Uran Ismailin