Vetëm dy nënkryetare komunash në gjithë Kosovën

13 janar 2018 20:26

Nga 38 komuna sa ka Kosova, 25 nga to i kanë emëruar nënkryetarët, prej tyre vetëm dy janë gra.

Suhareka dhe Zubin Potoku janë dy komunat që postin e nënkryetarit ua kanë besuar grave, raporton KTV.

Megjithatë, shoqëria civile nuk është e kënaqur me këtë përfaqësim, duke thënë që problemi qëndron te partitë politike, pasi ato politikat e brendshme nuk i kanë të orientuara kah barazia gjinore.

Roberta Osmani nga “Demokraci Plus” thotë se duhet të ketë numër më të madh të përfaqësimit të gruas në vendimmarrje, jo pse kjo u garantohet me ligj, porse , sipas saj, gratë e kanë dëshmuar që mund të marrin përgjegjësi si në nivel lokal edhe në atë qendror.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Xhevahire Izmaku, e cila para 10 vjetëve ka qenë nënkryetare në Komunën e Vushtrrisë, thotë se përvoja në nivelin lokal është shumë e rëndësishme, sidomos për gratë, por që, sipas saj, te ne ende politika po konsiderohet si një arenë e fuqisë.

Izmaku thotë se ka ende nevojë për trajnim për demokraci të brendshme te partitë politike.

Edhe nga Nisma për Kosovën thonë që nuk janë të kënaqur me përfaqësimin e grave në vendimmarrje.

Në disa komuna, gratë kanë arritur të zgjidhen kryesuese të kuvendeve Komunale sikurse në Ferizaj dhe Skënderaj.

Në mandatin e tashëm të Kuvendit të Kosovës, gratë përfaqësohen me 30 për qind, respektivisht nga gjithsej 120 deputetë, 38 janë gra.

Numër i ulët i grave është edhe në ekzekutiv, ku nga 21 ministri, vetëm dy prej tyre udhëhiqen nga gratë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme