Arbëri

Kurti prezanton platformën e tij udhëheqëse – i pakënaqur që nuk ka kundërkandidat

Me ovacione e duartrokitje që kanë zgjatur disa minuta është pritur kandidati i vetëm për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Para se Kurti të niste prezantimin, deputetja Albulena Haxhiu, ka falënderuar për kontributin të gjithë anëtarët e kësaj partie, përfshirë edhe të dorëhequrit nga kryesia, raporton KTV.

Pos ish-kryetarit Visar Ymeri, ajo ka veçuar dhe tre kryetarët e komunave nga kjo parti: kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, atë të Kamenicës, Qëndron Kastrati dhe të parin e Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Megjithatë, falënderimin nga afër ka mundur ta dëgjojë vetëm ky i fundit, pasi Ymeri, Kastrati e Ahmeti nuk kanë qenë në këtë tubim.

I pari i Prishtinës, gjatë ditës është lajmëruar nga Tirana, ku ka pasur një takim me homologun e tij, Erion Veliaj.

Aty kanë munguar edhe të gjithë të dorëhequrit nga pozitat drejtuese në këtë parti.

Në fjalimin e saj hyrës, Haxhiu e ka quajtur Kurtin “aktivist model”.

Në fillimin e fjalimit të tij të gjatë, Kurti ka falënderuar ish-kryetarin Ymeri, duke thënë se ky i fundit mbetet anëtar dhe deputet i Lëvizjes me të cilën do të konsultohet edhe pasi të zgjidhet kryetar.

Pasi tha se i vjen keq që nuk ka kundër-kandidat, shtoi se ky fakt nuk e bën jo-demokratike zgjedhjen e tij të mundshme në krye të partisë.

Kurti më pas ka folur për parimet dhe mënyrën e organizmit që synon ta bëjë brenda partisë.

Pasi tha se nuk duhen pushtete të forta as brenda e as jashtë partisë, shtoi se Lëvizja duhet të udhëhiqet nga ideja e saj.

Zgjedhjet e brendshme në këtë parti do të mbahen më 21 janar.

Lëvizja Vetëvendosje është futur në këtë proces të parakohshëm zgjedhor pas dorëheqjes së Visar Ymerit, nga pozita e të parit të saj.