Arbëri

Limaj: Daljet e shpeshta publike të Thaçit për ushtrinë e kanë veç një qëllim - mashtrimin

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mundur tash e pesë vjet ta transformojë FSK-në në ushtri në mënyrën siç ka propozuar tani.

Por, Limaj shpreh dyshimin se daljet publike gjithkund dhe gjithkah të Thaçit e kanë veç një qëllim, “mashtrimin”.

“Së paku që pesë vite ka qenë e mundur që FSK-ja të transformohet në ushtri në këtë mënyrë siç është propozuar tani. Pse nuk e ka bërë këtë ish-kryeministri kur ka qenë në detyrën e tij, asgjë nuk ka ndryshuar nga koha kur ky ka qenë kryeministër, edhe tani të njëjtat pengesa janë”, ka thënë Limaj.

E tërë kjo “zhurmë dhe propagandë” e “lloj-lloj argumente që sot po i bën ish-kryeministri” kanë vetëm një përgjigje: “ky njeri tashmë po e sheh se ka shkuar shumë larg me gabimet dhe dëmet që ia ka sjell Kosovës, si p.sh: Demarkacioni, Gjykata Speciale, Zajednica dhe tashmë e ka parë se këto dëme nuk mund ti fshehë më dhe si rezultat i këtyre ka humbur dhe po e humb me shpejtësi mbështetjen në popull”.

“Njerëzit po ia kthejnë shpinën, prandaj iniciativa për Ushtrinë është ide e kompanisë së P.R-it të tij, që sadopak të tentojnë të ia përmirësojnë imazhin që ju ka rrënuar”, ka theksuar Limaj në reagimin e tij të postuar në Facebook.

Në fund, kreu i Nismës tha se “daljet e tij publike gjithkund dhe gjithkah e kanë veç një qëllim: mashtrimin”.