SBASHK-u e cilëson fyese rritjen prej vetëm 4 për qind të pagave për mësimdhënës

SBASHK-u e cilëson fyese rritjen prej vetëm 4 për qind të pagave për mësimdhënës

13 janar 2018 13:03

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës ka reaguar pas vendimit të Qeverisë për ngritjen e pagave për 4 për qind, duke kërkuar që ngritja e pagave të jetë në vlerën e 4 përqindëshit të pagës së kryeministrit.

Kjo i bie se një pagë e punëtorit arsimor të jetë 118 euro më shumë.

Se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre thotë edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari.

“Kërkesa jonë ka qenë ajo që është marrë vendimi në kuadër të BSPK-së pra që të jetë 4 përqind pasi që është bërë shumë hit kjo, por të jetë 4 përqindëshi i vlerës së pagës së kryeministrit. Le të dal sa të dal, qoftë me atë pagën që e ka pas dikur, qoftë me pagën aktuale që është kërkesë mjaftë modeste, 4 përqind nga një pagë e tillë e këtu qëndrojmë ne dhe unë po them çdo ndryshim tjetër në kërkesën për paga do të jetë unike për të gjitha sindikatat që janë pjesë e BSPK-së. Por, ajo që po e them ne do të vazhdojmë të këmbëngulim dhe do të kemi edhe veprime sindikale, sepse nuk e pranojmë ngritjen 4.6 për qind po them është tepër e vogël”, tha ai, për Kosovapress.

SBASHK-u ditë më parë ka mbajtur një takim me udhëheqës të sindikatave brenda komunave, ku atyre iu kanë kërkuar që në shkollat në të cilat drejtojnë t’u ofrohet mësimdhënësve formulari për aprovimin e shkuarjes në grevë në rast të mos realizimit të kërkesave të tyre.

“Patjetër, unë e thash uroj që të gjithë sektorët ta mbajnë fjalën dhe të jemi unik përndryshe, unë do të veproj pastaj vetëm si SBASHK, si sindikatë e arsimit të Kosovës dhe do ta dëgjoj zërin e mësimdhënësve. Se kur do të ketë grevë dhe lëvizje sindikale nuk mund të them sot, jo që nuk dua, por jemi duke i pritur formularët ngase mësimdhënësit mund të deklarohen pro, por kanë të drejtë të deklarohen edhe kundër. Pra, unë garantoj se do të jem zë i tyre dhe atë që e vendosim anëtarësia e SBASHK-ut, atë edhe do ta bëjmë, nuk është përjashtuar edhe veprimi sindikal, gjegjësisht greva”, theksoi ai.

Kërkesë e paraqitur në formularë ndër të tjera është edhe zbatimi i Ligjit për Sigurimet Shëndetësore të cilin Kuvendi i Kosovës e ka aprovuar në vitin 2014.

Ndërkaq, Këshilltari i Kryeministrit të Kosovës, Haki Shatri, për KosovaPress ka thënë se vëllimi i mjeteve buxhetore për paga është paraparë të jetë më i madh për 4 përqind, krahasim me vitin 2017 dhe kjo nuk është rritje. Kjo sipas tij është një përcjellje e rritjes së zhvillimit ekonomik.

Sa i përket ultimatumit të SBASHK-ut, Shatri ka thënë se një kërkesë e tillë nuk i përgjigjet gjendjes ekonomike në Kosovë.

“Ne jemi shtet me organizim demokratik, janë të lejuara sindikatat, veprimtaria e sindikatave me ligj është e lejuar, marrëdhënia e punës është e rregulluar po ashtu me kontrata. Një kërkesë ultimative e kësaj natyre mendoj që nuk i përgjigjet gjendjes ekonomike dhe situatës në Kosovë. Unë nuk po them që nuk kanë nevojë ata njerëz me i pas pagat më të mëdha, por në qoftë se krahasohen pagat me vendet e regjionit mendoj që nuk qëndrojnë keq, nuk po hi me i krahasua tash ku është, por nuk qëndrojnë keq. Nevoja sigurisht është për më shumë të ardhura”, theksoi Shatri.

Ditë më parë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ishte takuar me një delegacion të BSPK-së përfshirë edhe kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ku sipas komunikatës së lëshuar nga zyra e kryeministrit thuhej se ai iu kishte premtuar se do të jetë në dialog të vazhdueshëm dhe se kërkesat e tyre do të trajtohen me kujdesin maksimal, konform kapaciteteve buxhetore.

Komentet

Sadiku15/01/2018 10:41

Pallavra, pallavra!!!! Si ore nuk ju vjen turp?! Po a keni gjynah nga punëtorët që punojn, 10-12 orë, në sektorët privat, dhe po ashtu companit private që paguajn miliona euro taxa? Se si duket ata nuk kan kurrfar përfaqësuesish që të ua mbrojn të drejtat e tyre, dhe ju I mjelni sikur lopën? Kur ta bëni krahasime me vendet e rajonit, duhet ti krahasoni edhe DIJET e nxënësve, e jo vetëm rrogat. Turp!!! Duhet që punëtorëve në arsim, asnjë cent mos të ju rritet rroga më, derisa nxënësit tan të jen kah mesi I tabelës në krahasim me vendet e rajonit.

Shto koment

Të ngjashme