Listës së pensionistëve do t’i shtohen rreth 4 mijë veteranë të UÇK-së

20 mars 2017 20:18

Ka nisur punën Zyra e veteranëve, e cila do të lëshojë certifikata për veteranët e papunë, në mënyrë që ata të aplikojnë për pensionin e veteranit. Kjo zyrë ishte mbyllur në mesin e viti të kaluar.

Por, pavarësisht që priten muaj të tërë për t’u pajisur me këtë vërtetim, pretendentët për pensionin e veteranit kanë hezituar të flasin për KTV-në, duke u arsyetuar se e rëndësishme është që tash e tutje ta gëzojnë pensionin.

Mendohet se rreth 4 mijë veteranë nuk ishin pajisur me këtë vërtetim. Ndërkohë që numri i atyre që deri tash kanë marrë vërtetimin është mbi 33 mijë.

Në anën tjetër, ministri i Punës, Arban Abrashi, thotë se mandati i këtij komisioni do të zgjasë aq kohë sa të pajisen me këtë vërtetime të gjithë veteranët e certifikuar.

Sidoqoftë ligji për veteranët është kontestuar në Kushtetuese, e cila pritet që shumë shpejt të dalë me vendimin nëse ai është në përputhje me Kushtetutën ose jo.

Pas vendimit, gjatë një periudhe 3- mujore pritet të përfundojnë të gjitha procedurat për ndarjen në nënkategori për veteranët e luftës, në mënyrë që ligji i ri të nisë së zbatuari.

Ligji i ri u bë për të shkurtuar buxhetin për këtë kategori pasi rreth 29 mijë veteranë aktualisht janë duke marrë në formë të pensionit nga 170 euro në muaj.

Me ndryshimet e bëra shumica e veteranëve i takojnë kategorisë së dytë e cila do të ketë pension për 50 euro më pak, derisa kategorisë së parë apo atyre që në luftë janë involvuar para 99-ës do t’u takojnë nga 250 euro.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Të ngjashme