Arbëri

Partitë politike marrin mbi 4 milionë euro nga buxheti, por s’njoftojnë për menaxhimin e tyre

Miliona euro marrin çdo vit partitë politike parlamentare, por të pakta janë ato që për votuesit dhe qytetarët bëjnë publike gjithçka rreth partisë.

Ani pse mbi 4 milionë ndahen nga buxheti i shtetit, para këto të taksapaguesve, partitë politike komunikimin me qytetarët kanë zgjedhur ta bëjnë me rrjete sociale, e jo përmes një ueb faqeje zyrtare, raporton KTV.

Për këtë, Demokracia Plus ka bërë një hulumtim për secilin subjekt politik.

PDK-ja dhe AAK-ja nuk kanë fare ueb faqe funksionale, LDK-ja pjesërisht, ndërsa Vetëvendosje e Nisma janë më aktive.

Sipas kësaj organizate, Vetëvendosje është më së miri me përditësimin e informacioneve.

PDK-ja, që merr mbi 1 milion euro çdo vit, ka zgjedhur një mënyrë tjetër komunikimi me qytetarë.

Në këtë subjekt politik kanë thënë se në faqen zyrtare të kryetarit Kadri Veseli, janë të gjitha informacionet, aktivitetet e PDK-së dhe kryetarit.

LDK-ja e ka një ueb, gjysmë-funksional dhe për Valmir Ismailin nga Demokracia Plus është bërë vetëm sa për t’i bërë publike financat pas presionit të bërë nga BE-ja.

Pal Lekaj i AAK-së thotë se Aleanca është e gatshme të bëjë gjithçka publike, përfshirë edhe të gjitha financat e këtij subjekti dhe, sipas tij, faqja zyrtare e partisë tash po ridizajnohet.

Partitë më të mëdha politike parlamentare shumë vonë i kanë publikuar financat e tyre dhe kjo u bë vetëm pas presionit nga zyra e BE-së në Prishtinë.

Madje, vetë Apostolova e pati quajtur lajm të mirë kur kreu i PDK-së e pati siguruar se shpejt financat do të jenë publike.

Ndryshe, janë bërë tri vjet që nuk është bërë auditimi i financave të partive politike në Kosovë.