Arbëri

SHBA ofron prokurorë federalë për të ndihmuar hetimet ndaj Saimir Tahirit

Në Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu tha sot se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje me prokurorë federalë për hetimet që po zhvillohen ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Këto komente ambasadori Lu i bëri për portalin e lajmeve BalkanWeb në përfundim të një takimi që ai pati sot me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Ambasadori amerikan, u shpreh se “çështja e zotit Tahiri kërkon një hetim të plotë dhe proces të paanshëm ligjor”, dhe se “është ofruar mbështetja e prokurorëve federalë amerikanë dhe agjencive të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë ndihmë teknike Prokurorisë në kryerjen e një hetimi të plotë, i cili ka për qëllim zbulimin e të vërtetës”, deklaroi ambasadori Lu. Ai nënvizoi se do të donte të shihte “një hetim më aktiv nga prokurorët dhe policia gjyqësore” duke shtuar se ky është një mesazh që i është përcjellë palës shqiptare.

“Në një demokraci të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin”, tha ambasadori amerikan duke shtuar se “bota, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, po e ndjek nga shumë afër këtë çështje dhe çështje të tjera sensitive, si ato të Emiljano Shullazit, Lul Berishës dhe tre gjykatësve të apelit në Durrës”.

Ish ministri i Brendshëm është nën hetim pasi dyshohet sipas prokurorisë, se ka patur lidhje me një grup narkotrafikantësh shqiptarë, pjesë e një organizate italo-shqiptare që dërgonte marijuanë drejt Italisë./VoA