Arbëri

Hahn e nis me Thaçin maratonën e takimeve në Maqedoni

Descriptive Text

Komisioneri për zgjerim Johannes Hahn dhe tre eurodeputetë të martën do të zhvillojnë takime maratonë me të gjithë krerët e partive politike parlamentare dhe presidentin Gjorge Ivanov, me një agjendë që fillon rreth mesditës dhe përfundon në orët e mbrëmjes.

Pavarësisht se nuk dihet mesazhi që do të sjellin përfaqësuesit e BE-së në vend, takimet janë paraparë të mbahen në Kuvend dhe do të fillojnë menjëherë pas takimit koordinues të grupeve parlamentare, për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.

12:40 – takim me Menduh Thaçin; 13:00 – takim me Bilall Kasamin; 13:50 – takim me Zijadin Selën; 14:55 – takim me Ali Ahmetin; 16:10 – takim me Zoran Zaevin; 17:45 – takim me Gjorge Ivanovin; 20:15 – takim me Nikolla Gruevskin; 21:45 – Deklaratë e Hahnit dhe eurodeputetëve.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq ka konfirmuar se komisionari Hahn dhe eurodeputetët për shkak të agjendës së ngarkuar nuk do të takojnë përfaqësues të shoqërisë civile. Hahn nuk do të takojë as organizatorët e protestës “Për Maqedoni të përbashkët”.

“Siç kam thënë të premten ai do të takojë përfaqësuesit politikë. Është e vërtetë se ka pasur kërkesa të tjera po ashtu dhe shpesh kur ai udhëton në Maqedoni ne përpiqemi që të takohen sa më shumë palë të përfshira që është e mundur, përfshirë edhe përfaqësues të shoqërisë civile por këtë herë komisioneri do të takojë vetëm përfaqësues politik meqë agjenda nuk lejon më shumë”, deklaroi Maja Kocijançiq, zëdhënëse e BE-së.