Në Shqipëri, autoritetet përshëndetën miratimin sot nga parlamenti i Maqedonisë, të ligjit për gjuhët, i cili i jep gjuhës shqipe një përdorim më të gjerë dhe shtrirje të saj dhe në institucione të larta shtetërore, ku ajo nuk është përdorur më parë.
“Miratimi nga parlamenti në Shkup i ligjit të gjuhës shqipe një arritje historike për shqiptarët që demokratizon e forcon vetë Maqedoninë”, shkruan kryeministri Edi Rama në një postim të tijin në Facebook.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Një arritje të rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë”, e konsideron vendimin e parlamentit maqedonas ministria e Jashtme shqiptare, sipas së cilës “miratimi i ligjit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje, politikat zhvillimore dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat europiane”.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë thekson më tej se “Miratimi i ligjit është një investim me rëndësi të veçantë për forcimin e demokracisë, respektit dhe mirëkuptimit ndëretnik. Në të njëjtën kohë, ky akt është një gur themeli për një të ardhme më të mirë e më të sigurt euroatlantike të fqinjit tonë, për çka shqiptarët në Maqedoni kanë qenë dhe janë mbështetës të palëkundur”.
Vendimi i sotëm është përshëndetur dhe nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili e cilëson atë si “një hap të rëndësishëm përpara në realizimin e statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë”.
Basha nënvizon se ky hap është “një sukses i bashkërendimit dhe bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni”. Në një deklaratë të posaçme ai vlerëson dhe “qëndrimin e forcave politike maqedonase që mbështetën me votën e tyre këtë ligj”, duke shtuar se është “i bindur se kjo votë është një kontribut i rëndësishëm për bashkëjetesën etnike dhe konsolidimin e një shoqërie demokratike në Maqedoni”./VoA