Arbëri

Ortopedia përballet me mungesë barnash e material shpenzues – as shërbimet s’janë në nivel

Kushtet në klinikën e ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sipas pacientëve, por edhe vetë profesionistëve shëndetësorë, nuk janë aspak të mira. Aty mungojnë barna e material shpenzues, derisa cilësia e shërbimeve lë për të dëshiruar.

Mirnije Berisha, 30 vjeç, është vajza e një pacienteje 70 vjeçare, e cila është e shtrirë në këtë klinikë tash e një muaj. Ajo i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kushtet dhe shërbimet në këtë klinikë nuk janë aspak të mira.

“Ka më shumë se 10 ditë që janë duke shoqëruar prindin në spitalin e ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare. Kushtet në katin e parë në këtë spital janë të mjerueshme. Veç këtu kam parë që pacientet që kanë pjesë të trupit të thyera, e janë me gips, shtrihen në krevate pa rrota që janë të mbështetur në kupëza betoni. Mos të flasim për gjera të tjera që mungojnë, si dollapët, karriget si dhe mungesa e poçeve elektrike në tualete”, tha Berisha.

Ortopedi në këtë klinikë, Xhemajl Selmani, tha për Radion Evropa e Lirë se stafi i mjekëve është i aftë për operacione mjaftë specifike, pasi që janë trajnuar për to. Por, sipas tij, operacionet e tilla nuk mund të kryhen për shkak të mungesës së mjeteve të punës, si dhe materialit shpenzues të nevojshëm.

“Kushtet janë relativisht të rënda për punë, mungojnë shumë pajisje mjekësore që na duhen, mungon material shpenzues e që na kushtëzon punën dhe cilësinë e punës. Ne gjithmonë improvizojmë për të kryer punë me pacientët”, tha Selmani.

Ai tha po ashtu se pacientët jo rrallë duhet të presin deri në katër vite për tu ardhur radha e operimit në klinikën e ortopedisë, për shkak të mungesës së materialit shpenzues që u duhet në sallat operative.

Sipas tij, përkundër kërkesës së vazhdueshme në Ministrinë e Shëndetësisë për furnizim, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, dhe kjo gjendje, thekson ai, ndikon në shtimin e emrave të pacientëve në listën e pritjes.

“Afati i pritjes së pacientëve për operimin e gjurit dhe krahut është deri në katër vite për shkak të mungesës së materialit për këto operacione. Ndonëse shumë mjekë në klinikën e ortopedisë janë të certifikuar dhe dimë t’i bëjmë këto lloje operime”, thotë Selmani.

Ndërkaq, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se furnizimi gjatë tërë vitit të kaluar nuk ka qenë i dobët. Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në këtë ministri jep hollësi rreth furnizimit, bazuar në të dhënat e divizionit të farmacisë brenda Qendrës Klinike Universitare.

“Sa i përket furnizimit për Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës, në bazë të të dhënave të divizionit të farmacisë, rezulton se furnizimi total për tre mujorin e parë të vitit 2017 ka qenë mbi 89 për qind”, thotë Hoti.

Sipas tij, furnizimi për tre mujorin e dytë ka qenë 86 për qind, derisa për tre mujorin e tretë 72 për qind.

“Për tre muajt e fundit të vitit 2017, furnizimi total me barna e material shpenzues ka qenë rreth 60 për qind, për një periudhë kur nuk ka pasur rishikim të buxhetit si dhe ka pasur kufizime të mjeteve financiare të Ministrisë”, tha Hoti.

Sidoqoftë ai ka theksuar se me vendimin e Qeverisë së Kosovës, në vitin 2017 rreth 3 milionë euro shtesë i janë ndarë Ministrisë së Shëndetësisë për sektorin farmaceutik.

Buxheti i ndarë për shëndetësi në vitin 2018, do të jetë 200 milionë euro, për dallim nga vitet paraprake që ka qenë 180 milionë.