Arbëri

Sulme e kundërsulme mes aktivistëve të VV-së të ndarë në dysh

Po vazhdojnë përplasjet mes aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët tashmë janë ndarë në dysh – një pjesë mbron të dorëhequrit dhe pjesa tjetër të mbeturit në parti.

Pas akuzave ndaj Dardan Molliqajt nga aktivisti i partisë Valdrin Ahmeti, i cili tha mes tjerash se Molliqaj kishte insistuar se aktivisti Astrit Dehari është vetëvrarë në burg, në sulm ndaj Ahmetit doli Gëzon Kastrati, vëllai i kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Kastrati tha se Valdrin Ahmeti ishte shkarkuar nga postet partiake për shkak të keqpërdorimit të fondeve të partisë.

“Valdrin Ahmeti e paska shkruar një status shumë të gjatë me shumë të pavërteta. Pothuajse nuk ka as edhe një fjali ku ai nuk gënjen. Futja e datave të ndryshme, për ta krijuar përshtypjen se statusi i tij është i saktë, nuk është asgjë tjetër pos përpjekje e dobët për mashtrim. Sidoqoftë, unë e di që të gjithë ju që e njihni Valdrinin i dini këto që unë i thash. Por, për juve që nuk e njihni, për të treguar sa kredibil është, po e bashkëngjis vendimin e Komisionit Disiplinor të Lëvizjes i cili e shkarkoi Valdrinin nga të gjitha funksionet në Lëvizje për shkak të keqpërdorimeve të donacioneve për Lëvizjen duke i përvetësuar ato. Për fund, një gjë e kam kërkuar edhe më herët e po e përsëris prapë: Mos i përdorni emrat e aktivistëve të vdekur për betejën tuaj të tmerrshme sepse po e shpërfaqni që jeni tejet të paskrupullt”, ka shkruar Kastrati në FB dhe ka bashkëngjitur një dokument për këtë rast.

Image

Ndërsa, aktivisti nga Tirana, Boiken Abazi, i ka dalë në mbrojtje Valdrin Ahmetit, duke thënë se ajo masë tashmë ka mbi dy vjet që ka përfunduar dhe nuk është në fuqi.

“Është krejtësisht jashtë rregullave, e padrejtë, amorale, dhe në dëm të Lëvizjes praktika që ndoqi sot anëtari i ‘faksionit’ antistatutor për ta dëmtuar Lëvizjen, vetëm që të mund të realizojë një sulm të ulët të tipit ad hominem (ndaj personit), që të mos merret me thelbin e problemit që ka shkaktuar ‘faksioni’ antistatutor”, ka shkruar Abazi në llogarinë e tij në Facebook.

Shkrimi i plotë i Boiken Abazit:

Sipas Rregullores së Komisionit Disiplinor të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të cilin e kam drejtuar rreth 4 vite që prej themelimit të tij në vitin 2011, vendimet dhe procesverbalet e këtij Komisioni janë dokumente konfidenciale, për të cilat nuk lejohen duplikate, dhe në të cilat mund të kenë qasje, sipas Rregullores, vetëm organet vendimmarrëse të Lëvizjes dhe palët e përfshira. Një anëtar i “faksionit” antistatutor ka bërë sot publike një dokument të Komisionit Disiplinor të vitit 2011, në shkelje të Rregullores. Këtë gjë, anëtari i “faksionit” antistatutor e ka bërë që të mos merret me argumentet dhe faktet e bëra sot publike nga një aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Valdrin Ahmeti, në lidhje me “faksionin” antistatutor. Aktivisti Valdrin Ahmeti e ka pranuar në organizatë dhe publikisht rastin e shqyrtuar nga Komisioni Disiplinor në vitin 2011, e ka pranuar fajin në organizatë dhe publikisht, dhe e ka pranuar dhe respektuar edhe masën e shqiptuar ndaj ti nga ky Komision në vitin 2011. Ajo masë tashmë ka mbi dy vjet që ka përfunduar dhe nuk është në fuqi. Është krejtësisht jashtë rregullave, e padrejtë, amorale, dhe në dëm të Lëvizjes praktika që ndoqi sot anëtari i “faksionit” antistatutor për ta dëmtuar Lëvizjen, vetëm që të mund të realizojë një sulm të ulët të tipit ad hominem (ndaj personit), që të mos merret me thelbin e problemit që ka shkaktuar “faksioni” antistatutor. Të vertetat e thëna sot publikisht nga aktivisti Valdrin Ahmeti në lidhje me “faksionin” antistatutor fatkeqsisht nuk janë material për Komisionin Disiplinor, por për organet vendimmarrëse të Lëvizjes, sepse kanë të bëjnë me çështje thelbësisht politike me ndikim mbi krejt organizatën. Por organet vendimmarrëse janë pikërisht ato organe nga të cilat po dorëhiqen ata pak anëtarë të këtij “faksioni” antistatutor.