Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ambasada Amerikane përgjigjet për çështjen e vizës së Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur të fluturojë për në SHBA për të marrë pjesë ditën e enjte në një ngjarje të organizuar nga Komandanti i Gardës Nacionale në Iowa, Timothy E. Orr, e më pas edhe në organizimin vjetor të Shtëpisë së Bardhë, “Lutjet e Mëngjesit”.

Por, atij i është refuzuar viza për këtë shtet dhe për pasojë, udhëtimet e tij janë anuluar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndërkaq, në një përgjigje për KTV-në, zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Richard Mei, ka thënë se çështjet individuale të vizave nuk i komentojë.

“Ambasada nuk komenton në raste individuale të vizave për shkak të ligjeve tona të privatësisë së të dhënave”, ka thënë Mei për KTV.

Një zyrtar nga Garda Nacionale në Iowa të SHBA-së i ka thënë dje Radios Evropa e Lirë se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka anuluar vizitën në këtë shtet me arsyen se “ai nuk ka mundur ta marr vizën”.

Kolonel Greg Hapgood, zëdhënës i Gardës së Iowa-s, ka thënë se Haradinaj pritej të merrte pjesë ditën e enjte në një ngjarje të organizuar nga Komandanti i Gardës Nacionale në Iowa, Timothy E. Orr.

“Kryeministri Haradinaj ka qenë i ftuar nga gjenerali Orr në atë ngjarje mirëpo është për keqardhje që ai nuk ka mundur ta marr vizën dhe të jetë së bashku me ne. Shpjegimi ka qenë se vizita nuk do të ndodhë tash në këtë kohë dhe nuk kemi marrë më shumë informata shtesë”, ka thënë kolonel Greg Hapgood.

Sipas tij, në vend të Haradinajt pritet të marrë pjesë zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.

E vetë Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka komentuar çështjen e mos-pajimit me vizë amerikane, raporton Koha.net.

“Nuk kam marrë përgjigje për vizën. Nuk do të mbërrij në të gjitha takimet. Kur t’ma japin përgjigjen, do të shkoj”, ka thënë Haradinaj.