Arbëri

Topalli: Në VV pushtetin ta mbajnë ata që e duan, kriza ndikoi në humbjen në Ferizaj

Radhës së të dorëhequrve në Lëvizjen Vetëvendosje i është bashkuar edhe deputeti Faton Topalli, i cili është larguar nga të gjitha pozitat brenda kësaj partie.

Ai në letrën e dërguar tek anëtarët e Kryesisë së kësaj Lëvizjeje, ka përmendur shqetësimet e tij për subjektin të cilit i përket, raporton KTV.

“Po jap dorëheqje nga të gjitha pozitat që kam në Lëvizje prej Anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm e deri tek Drejtuesi i Komitetit për Mbrojtje Sociale, respektivisht politika sociale. Pra, le ta mbajnë pushtetin ata që e duan”, ka shkruar Topalli në këtë letër.

Topalli në letër thotë se edhe zhvillimet e fundit në këtë subjekt kanë ndikuar në humbjen e tij në garën për kreun e Ferizajt.

“Pas dorëheqjes së Dardan Molliqajt, Sekretar Organizativ, anëtarëve të Kryesisë Albulena Haxhiu, Donika Kadaj Bujupi, Dardan Sejdiu, Aida Dërgutit, Zgjim Hysenit dhe disa deputetëve dhe Kryetarit të deritashëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, nga Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje nuk mund të mos e pranoj se jam i shqetësuar për zhvillimet në Lëvizje”, ka thënë Topalli.