Pack: Nëse do jetoja në Shqipëri, do kisha frikë se ku po i rris fëmijët!

Pack: Nëse do jetoja në Shqipëri, do kisha frikë se ku po i rris fëmijët!

17 shkurt 2017 11:47

Doris PackIsh-eurodeputetja gjermane, Doris Pack njihet për gjuhën e saj të drejtpërdrejtë, që ka irrituar jo pak herë të majtët.

Pasi ka mbërritur në Shqipëri në një vizitë, e ftuar nga gratë demokrate, ajo ka lëshuar disa deklarata të forta, transmeton mapo.

“Jam e zhgënjyer që Shqipëria ndodhet në këtë situatë, pas marrjes së statusit të vendit kandidat në sajë të reformave të qeverisë së mëparshme. Nuk arrij ta mendoj se në Parlament keni deputetë, të cilët janë gjykuar për vepra kriminale nga gjykatat europiane. Prezenca në parlament e krimineleve nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër. Asnjë parti nuk duhet të lejojë kandidatë të tillë. Imagjino pak që shqiptarët të votojnë për njerëz të tillë. Kjo duhet të ndalet. Sistemi gjyqësor sot nuk është i pavarur,” tha presidentja e Forumit të Grave të Partive Popullore Europiane nga Kukësi.

“I gjithë vendi është mbjellë me kanabis, ky është një turp ! Edhe vetë prindërit duhet të jenë të shqetësuar për rritjen e fëmijëve të tyre në këtë situatë. Nuk ia vë fajin, njerëzve, por qeverisë që nuk u jep mundësi se si të nxjerrin jetesën. Nëse do të jetoja në Shqipëri, do të kisha frikë për të ardhmen e fëmijëve të mi, ndërkohë që droga është bërë e frikshme”.

“Keni shkallë të lartë papunësie, ndërkohë që keni shumë të rinj të arsimuar dhe të aftë për punë. Ata nuk gjejnë vend pune se janë anëtarë të PD-së. Njerëzit largohen se s’kanë si të jetojnë. Nga ana tjetër ka shumë pak investime që mund të krijonin vende të reja pune. Nuk është se s’ka interes, por nuk ka besim te drejtësia dhe çështja e pronësisë nuk është zgjidhur”.

“Nëse dëgjoni ish- ministrin e Drejtësisë, kuptoni shumë. Nuk e kuptoj si qëndron në këmbë kjo qeveri! Mendoj se është një alarm. Nëse do të isha kryetare partie dhe do të kisha një ministër në këtë situatë, do të dija çfarë të bëja. Është ministri i Drejtësisë i kësaj qeverie dhe e di shume mirë se çfarë thotë. Dhe nëse i vetmi reagim i Kryeministrit Rama është shkarkimi i tij. Kjo nuk është praktika e duhur në një sistem demokratik”.

“Me një qeveri të tillë është vështirë të jesh optimiste. Shpresoj që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira, të mos manipulohet gjyqësori dhe demokracia të mund të lulëzojë me një parlament të dekriminalizuar”.

Deklaratat e eurodeputetes Doris Pack u bënë në Kukës pas takimit me kryetarin e bashkisë, Bashkim Shehu, i cili i akordoi asaj Medaljen e Mirënjohjes për mbështetjen e Shqipërisë në proceset integruese.

Doris Pack ndodhet për vizitë në Tiranë me ftesë të kryetares se Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, deputetes Albana Vokshi dhe po merr pjesë në aktivitetet për fuqizimin e statusit të grave dhe vajzave.‎

Të ngjashme