Arbëri

Nagavci mbështet Kurtin për kryetar, të dorëhequrit thotë se letrat nuk i shkruajnë vetë

Deputetja njëkohësisht anëtarja e Këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka folur për zhvillimet e fundit që po ndodhin në Vetëvendosje e gjithashtu edhe për problemet në vend me të cilat kosovarët po ballafaqohen.

Ka thënë se mbështet Albin Kurtin për kryetar të Partisë, ndërsa për të dorëhequrit nga Kryesia, ka thënë se as dorëheqjet e as statuset nëpër Facebook nuk i shkruajnë e as nuk i postojnë vetë.

Ka përmendur një mori problemesh me të cilat Kosova po ballafaqohet, shëtitjet luksoze të krerëve, zhvillimet rreth Speciales, deklaratat e Haradinajt për mësimdhënësit, gratë të cilat po vriten nga burrat e vetë e shumë probleme tjera.

Letra e plotë e deputetet Arbërie Nagavci:

Qytetarët e Republikës së Kosovës vazhdojnë të ballafaqohen me një mori brengash. Probleme që as që vijnë në rend të shqyrtohen nga institucione krejtësisht të papërgjegjshme, të cilat shqetësim të vetëm kanë shëtitjet luksoze, ngritjen e pagave e rritjen e privilegjeve të zyrtarëve që zbrazin arkën e shtetit.

Numri shumë i madh i zëvendësministrave dhe shpenzimi i pakontrolluar i buxhetit të shtetit, pushimet superluksoze të Kryeministrit, Vendimi i jashtëligjshëm për rritje të pagave të kabinetit qeveritar derisa një pjesë shumë e madhe e popullsisë jeton në varfëri të skajshme, situata e krijuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, raportimet për refuzim të vizës Kryeministrit, lojërat e rrezikshme të Presidentit të vendit, se akoma këto ditë në Republikën e Kosovës ndodhin procese të montuara politike, se aktivistë politik mbahen të burgosur pa asnjë fakt, se marrim sinjale e deklarata të njëpasnjëshme ku ambasadorët e vendeve mike shfaqin shqetësimet e tyre në lidhje me iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës, deklarat e pamatura të Kryeministrit për mësimdhënësit, shkelja e vazhdueshme e të drejtave themelore të qytetarëve përfshi edhe të drejtën për jetë të grave që vriten nga burrat e tyre e të shumë atyre që akoma dhe sot po gjejnë vdekjen në vendin e punës, mos realizimi i premtimit për liberalizimin e vizave , mos mbështetja e amendamentit për punësim të stafit profesional në shkolla e çerdhe nga deputetët, ndërtimi i "Termocentralit C" sipas një marrëveshje jotransparente dhe që do të dëmtoj ambientin dhe shëndetin e qytetarëve,…lista e problemeve është shumë më e gjatë, secila më brengosëse se tjetra, andaj dhe çështjet me të cilat ne ish dashur të merremi.

Por, me sa po shihet një shqetësim shumë i madh është për situatën e krijuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE!

Sado që mund të duket e panatyrshme që në krahasim me problemet tjera të brengosemi kaq shumë për dallimet e zhvillimet në një subjekt politik, unë e kuptoj këtë situatë. Me të drejtë qytetarët janë të shqetësuar, janë të brengosur.

Lajmet vazhdojnë secilën ditë: edhe një anëtar i VETËVENDOSJES! dha dorëheqje, edhe një zyrtar, edhe dy…u panë së bashku në një lokal, edhe një dëshmi, u zbuluan dhe disa mesazhe tjera, deklarata të tipit: për sot kaq mjafton, ju njoftojmë pak më vonë për detaje tjera, flasim javën e ardhshme. Kjo nuk është e rastësishme dhe as qëllim mirë. Çfarë po synoni, të mbani kureshtjen, të matni forcat, të rrisni tensionin, të viktimizoheni, të dobësoni Lëvizjen tash kur doli forca e parë politike, tash kur ishte një hap larg qeverisjes? Ndoshta në afat të shkurtër edhe mund të arrini ndonjë nga këto qëllime, por jo në afat më të gjatë, qytetarët nuk harrojnë dhe është mirë sa më shumë të kujtojnë secilin veprim e qëndrim të atyre që kanë pozita publike e përgjegjësi jo vetëm për veten, por dhe për të tjerët.

Edhe pse ka pasur shumë lajme këto ditë, mozaiku akoma nuk është plotësuar. Sot shumë nga ne po shohim çfarë kanë zgjedhur të na tregojnë, selektivisht, me paramendim e me qëllim të krijimit të një perceptimi. Kemi disa deklarata në televizion, kemi lexuar kryesisht letra e statuse në facebook, jo pak nga to jam e sigurt se as nuk po i shkruajnë vet ata që po i postojnë, po flitet për linçime, për degradime, për luftë të brendshme e të jashtme, për nxitje sulmesh, për akuza e kundërakuza, për gjuhën e aktivistëve e vullnetarëve, për ata që deri më tani u është kërkuar të punojnë të angazhohen, që janë rritur në Lëvizje e me Lëvizjen, me gjuhën, mendimet e idetë e përbashkëta.

Kjo nuk është as e sinqertë, e as e ndershme, nëse kemi qenë bashkë në një betejë politike për të mirën e vendit atëherë keni obligim të jeni të përgjegjshëm dhe atë jo vetëm ndaj njëri tjetrit, por ndaj gjithë qytetarëve që na besuan, që na mbështetën, që na dhanë zemrat, besimin e shpresën. Është gjë e madhe që të luhet me shpresën e qytetarëve. Dhe ata nuk harrojnë, ata do të duhej të mbajnë përgjegjës secilin të zgjedhur, në çfarëdo pozite.

Fjalori i gjuhës shqipe ka disa përkufizime për fjalën përgjegjësi:

1.Të qenët përgjegjës, detyra që ka dikush për të organizuar dhe për të drejtuar punën e disa vetave në një ndërmarrje prodhimi, në një institucion shtetëror, në një sektor a seksion etj.

2. Detyrimi që ka dikush për t'u përgjigjur e për të dhënë llogari për punën e veprimet e veta, për diçka që ka ndodhur etj.; detyrimi ose pesha e fajit që bie mbi dikë për diçka që ka ndodhur.

3. Ndjenjë e lartë që ka njeriu, i cili merr përsipër me vullnet të kryejë sa më mirë një punë, një detyrë të ngarkuar nga shoqëria etj.

E sot po mungon përgjegjësia, dallimet e mendimet ndryshe do të duhej të na bënin më të fortë, më të plotësuar, më të përbashkuar. Por jo, ne po zgjedhim të gjejmë gjërat që janë ndryshe, të shofim çfarë dikush dikur i ka thënë dikujt, çfarë ka menduar me këtë, çfarë në të vërtet ka dashur të thotë? Dhe kjo jo për të parë se si mund të marrim më të mirën nga secili, se si të forcojmë organizatën e të vazhdojmë tutje, por që të shohim se si ne të tregohemi më të mirët, unë jam ajo që kam të drejtë, unë kam kontribuar më shumë, jo unë kam sakrifikuar më shumë, unë kam të drejtë të kushtëzoi, jo po ne vetëm kemi kërkuar, jo ty të ka bërë Lëvizja deputet/e, jo ne kemi ide, jo po ju keni “babë”.

Në këtë kohë të vështirë, kur dhjetëvjetori i pavarësisë e gjen vendin akoma në udhëkryq e me plotë sfida para vetës, para se të rrimë duke shikuar komentet e njëri tjetrit, duke u kujtuar se si ta dëmtojmë Lëvizjen e të humbim shpresat, kish qenë shumë më e rëndësishme të shohim se çfarë mund e duhet bërë për të përmirësuar jetën e qytetarëve që po vështirësohet çdo ditë e më shumë, çfarë qëndrime e veprime do marrim në javët e ardhshme kur na presin vendime e procese jo të lehta.

Kemi obligim të ruajmë mendjen, ta përdorim për gjëra të rëndësishme, për qëllime të mira e progresive. Këtë presin nga ne ata që na besuan, e kemi obligim edhe ndaj vetes sonë, e edhe ndaj atyre të cilët nuk kemi arritur t’i bindim në zgjedhjet e kaluara, sepse ne kemi besuar që jemi alternative më e mirë, se jemi e vetmja alternativë.

A do të arrimë të tregojmë se demokracia ka vërtetë vlerë për ne, se ne bëjmë debate politike, se ballafaqojmë ide e qëndrime, se shpesh herë nuk pajtohemi dhe ndodhë që grindemi, por ne tejkalojmë veten për të mirën e përgjithshme. Sepse ne jemi aktivistë, jemi komunitet i njerëzve që refuzojmë të nënshtrohemi e që nuk reshtim betejat për një të ardhme më të mirë, se ne kemi interesin e përgjithshëm mbi atë personal.

Së shpejti do të përfundojnë zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, a do të ndihmoj kjo në tejkalimin e problemit, nuk e di.

Personalisht përkrah kandidaturën e Albinit për kryetar dhe besoj fuqishëm se ai do të vazhdoj të jetë sikurse deri dhe tani një aktivist i fuqishëm politik, një aktivist në përpjekjet e pa ndalura për të realizuar idetë dhe idealet për një vend më të mirë , disa nga ne mund të mos pajtohemi me të në raste të caktuara, por ai megjithatë mbetet një lider i pakontestuar, me merita të jashtëzakonshme jo vetëm në Kosovë. A do të ketë më të mirë, ndoshta dhe mund të ketë, ata që njohin të tillë, duhet të na bindin me ide, me programe, me vepra. “Asnjë nuk është i pazëvendësueshëm” , na tha Albini nga burgu.

E ata që mendojnë se Albini nuk duhet të jetë kandidat për kryetar duhet të na njoftojnë pse mendojnë ashtu. Unë nuk di asgjë që të më ketë ndryshuar mendimin nga qershori kur kemi kërkuar mbështetje për Albinin kryeministër, kur qytetarët na besuan. Të gjithë ata që kanë pasur problem dhe më herët apo që kanë ndërruar mendje kohët e fundit kanë obligim të na tregojnë a kanë qenë të sinqertë në qershor apo tani? Nëse ka ndryshuar diçka, i ftoj të na njoftojnë të gjithëve se çfarë ka ndryshuar gjatë këtyre muajve e që ju ka ndërruar mendjen.

VETËVENDOSJE! është një histori e suksesshme dhe meritat e Albinit për këtë nuk mund të kontestohen, ashtu sikurse dhe angazhimi e puna e mijëra vullnetarëve e aktivistëve gjithandej në Kosovë e jashtë saj.

Si do të përfundoi kjo situatë, cilat do të jenë pasojat? Disa i dimë që tani, njerëzit janë të shqetësuar, me të drejtë mendojnë se a ka mbetë shpresë në këtë vend, a ka mbetë dikush që duhet besuar, a ka moral në politikë. Disa pasoja do t’i kuptojmë më vonë, do të shohim se kush do të fitoj më shumë e kush më pak në zgjedhjet e ardhshme, do të shohim a do të filloj të bëhet më mirë për vendin apo do vazhdojmë me premtime të vjetra e halle të njejta. Por, megjithatë Lëvizja VETËVENDOSJE! duhet dhe do të tejkalojë sfidat e do të fitojmë betejat e radhës!

E ndërkohë kabineti qeveritar i njërit ndër vendet më të varfra të rajonit, vazhdon të marrë pagat më të larta për numrin rekord të stafit, fëmijët me nevoja të veçanta nuk do të marrin mbështetjen e nevojshme në institucionet edukativo arsimore, Kryeministri do të vazhdoi pushimet e tij super luksoze po të gjejë kohë, se para ka mjaft e ka poashtu miq të shumtë, Presidenti do të vazhdoj përpjekjet për shpëtimin e tij e të shokëve të tij përkundër rrezikut të cënimit të raporteve të mira me vendet mike, shumë qytetarë ndoshta disi do të gjejnë mënyrën se si të kalojnë ditën me më pak se dy euro në ditë.

Me shpresën se ne do të jemi qytetarë aktiv e do të kërkojmë përgjegjësi tek secili e secila që kanë marrë besimin tonë.

Njerëzit shkojnë e vijnë, ato që mbeten janë idealet e lirisë e të vetëvendosjes, gjithnjë do të jenë në shumicën e mendjeve e zemrave, andaj uroj e shpresoj të jemi bashkë në këtë rrugëtim!