Arbëri

Dikoviq: Kemi informacione nga KFOR-i se situata e sigurisë në Kosovë mund të përkeqësohet

Shefi i Shtabit të Ushtrisë së Serbisë,Gjenerali Lubisha Dikoviq, ka thënë të ketë biseduar me komandantin e KFOR-it i cili, sipas tij, e ka paralajmëruar atë për trazira të mundshme në Kosovë.

Dikoviq, gjatë qëndrimit në Bujanoc, ka thënë se ushtria e Serbisë dhe KFOR-i kanë bashkëpunim të mirë në kontrollimin e zonës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Të premten, gjatë bisedimeve me komandantin e KFOR-it kam marrë informacione se në zonën e sigurisë tokësore mund të vijë deri tek përkeqësimi i sigurisë, sikurse edhe në territorin e Kosovës dhe Metohisë. Fatmirësisht, për momentin gjithçka është e qetë dhe stabile dhe jam i sigurt se forcat e KFOR-it kanë marrë të gjitha masat dhe se kështu do të mbetet”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Edhe komandanti i Forcave të Sigurisë Tokësore në Serbi, Milosav Simoviq, ka vlerësuar se situata në këtë zonë është stabile, siç është edhe përgjatë “vijës administrative me Kosovën e Metohinë”.

Ka shtuar po ashtu se pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë janë në kontakt të përditshëm me KFOR-in me të cilët “bashkërisht realizojmë detyrat, përfshi edhe patrullat e përgjatë vijës administrative”.