Dogana pret që në 2018-n të sigurojë 1 miliard e 75 milionë euro

Dogana pret që në 2018-n të sigurojë 1 miliard e 75 milionë euro

06 janar 2018 11:10

Dogana e Kosovës edhe në vitin 2018 duhet ta ngreh rripin e t’i mbledh mbi 1 miliard e 75 milionë euro, për arkën e shtetit.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, ka parasysh shumë sfida që e presin për këtë vit por ai e beson që do të arrijë projeksionin e Qeverisë.

Berisha në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se doganat edhe vitin 2017 e kanë mbyllur me sukses, duke siguruar kështu të hyrat mbi 1 miliard e 108 milionë euro.

“Për vitin 2018, pritjet janë që Dogana e Kosovës të mbledh 1 miliard e 75 milionë euro, është një rritje rreth 65 milionë euro. Goxha është një rritje e cila krahasuar edhe me politikat fiskale të cilat shkojnë në favor të lirimit nga taksat doganore, akcizës dhe TVSH-së. Po me marrë parasysh një rritje ekonomike që është mbi 4 % në Kosovës. Investimet kapitale nga sektori publik që janë në rritje, rezistencat, pritjet për investime nga jashtë të gjitha këto mund të gjenerojnë një rritje më të madhe të dërgesave për import që mund të thuhet edhe një rritje më e madhe e të hyrave“, tha Berisha.

Ndërsa i ka numëruar edhe sfidat me të cilat do të ballafaqohet gjatë vitit 2018, duke i përmendur një sërë masash që shkojnë në favor të bizneseve prodhuese e sfidë për doganën.

“Pritjet e Qeverisë janë që për një periudhë afat mesme, dogana të jetë ndër kontribuuesit kryesor të buxhetit të Kosovës. Qeveria ka marrë një sërë masash të politikave fiskale që të fillojnë nga 1 janari i vitit 2018. Në bazë të disa të dhënave për disa produkte, nëse flasim për burimet e energjisë të cilat përdoren për procesin e prodhimit, në bazë të dhënave që janë përdorë deri tani nga prodhuesit kosovarë mund të ketë një efekt rreth 7 milionë euro. Vetëm tek burimet e energjisë, po i kemi edhe linjat e prodhimit, kemi pajisjet e teknologjisë informacionit, gjysmë produktet edhe imputet e tjera të cilat përdoren në proces të prodhimit. Edhe në TVSH, akcizë dhe në taksën doganore”, tha Berisha.

Po ashtu, ai ka thënë se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), do të ketë ndikim me rreth 32 milionë euro në të hyrat doganore.

“Presim që efekti i MSA-së, këtë vit të jetë diku rreth 32 milionë euro që ka ndikuar në taksën doganore, nga mbledhjet në kufi, po sigurisht kjo i ka pasur efektet pozitive në brendi vet MSA-ja. Edhe në raportet tregtare Kosovë-BE, kemi një rritje të lehtë të eksportit kosovarë drejtë vendeve të BE-së. Eksportet në total kanë shënuar rritje, nëse flas në aspektin e vlerës kemi diku rreth 50 % në aspektin vleror eksporti i përgjithshëm, produktet me origjinë kosovare. Ndërsa në aspektin sasor shkon diku mbi 20 % rritja e eksportit kosovarë për vitin 2017”, tha Berisha.

Berisha ka treguar se gjatë vitit 2017 ka pasur më pak evazione fiskale, ku me vet faktin e rritjes së të hyrave dhe rritjes ekonomike tregon se është punuar në luftimin e kësaj dukurie.

“Vetë fakti i rritjes së të hyrave doganore në vitin 2017 mbi 6 .5% tregon që dogana përpos rritjes ekonomike, e cila këtë vit është 4.4 %, tregon se dogana një pjesë të të hyrave e ka siguruar duke e luftuar ekonominë joformale. Në bazë të të dhënave kemi rezultat jashtëzakonisht të mirë edhe në fushën e luftimit të kontrabandës, këtë vit duke përfshirë edhe disa fusha deri në 60-70 %. Shembull i marrim lojërat e fatit, çështjet e produkteve të tjera të ndaluar te fusha e pronësisë intelektuale që është me rendësi, kemi me qindra mijëra produkte të konfiskuara të ndaluara për tregun e Kosovës, të gjitha këto e kanë mundësuar që të kemi një performancë më të mirë të të hyrave“, tha Berisha.

Ai ka shtuar se gjatë vitit 2017, kishte më pak ankesa nga bizneset, duke thënë se kishte 40 për qind më pak ankesa se sa një vit më herët.

“Ankesat këtë vit, krahasuar me vitet e të tjera kemi diku rreth 40 % më pak në raport me doganën, për arsye se vërehet duke e luftuar ekonominë jo formale, edhe t’u i pa që vetë komuniteti i biznesit ka filluar t’i përmbush obligimet, do të thotë ndaj shtetit“, tha Berisha, transmeton kp.

Sipas tij, për vitin 2017 doganat kanë pasur projeksion nga Qeveria t’i realizojnë mbi 1 miliard e 108 milionë euro. Në bazë të dhënave, importi që i bëhet Kosovës është kryesisht prej vendeve të regjionit, përfshirë Serbinë e Maqedoninë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme