Arbëri

Dhuna në familje në 2017-n shënoi rritje

Sevdije Berisha nga Peja më 17 nëntor të këtij viti gjeti vdekjen pasi u godit me sëpatë nga bashkëshorti i saj.

Por e ndjera Sevdije Berisha, nuk është rasti i vetëm i dhunës në familje e cila pati fund me fatalitet.

Janë edhe pesë viktima tjera të vdekura si pasojë e dhunës në familje, transmeton kp.

Në bazë të statistikave të Policisë së Kosovës nga janari deri në fillim të dhjetorit të vitit që shkoi janë evidentuar rreth 1196 raste.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se në vitin 2017 kanë evidentuar më shumë raste të dhunës në familje me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Ka të evidentuara raste më shumë të dhunës në familje krahasuar me periudhën e njëjtë të viteve tjera dhe nëse i referohemi shifrave që ne i posedojmë të rasteve të evidentuara në Policinë e Kosovës mund të themi se nga janari deri në fillim të dhjetorit të këtij viti janë evidentuar diku rreth 1196 raste të dhunës në familje, ndërsa prej këtyre rasteve janë të proceduara në Prokurori 1134 raste dhe një numër i tyre diku prej 56 rasteve janë ende nën hetime”, tha ai.

Sipas tij në rritjen e rasteve të raportuara për dhunë në familje ka ndikuar sensibilizimi i qytetarëve mbi raportimin e rasteve.

Aktivistja e Rrjetit të Grupit të Grave në Kosovë, Adelina Berisha tha se dhuna në familjet kosovare është mjaft e shprehur, por ajo shqetësues e sheh faktin që statistikat nuk e tregojnë tërësisht realitetin.

“Statistikat tregojnë që dhuna në familje është mjaftë e shprehur në shoqërinë kosovare dhe në format më të ashpra të mundshme. Do të thotë e kemi parë sidomos dy muajt e fundit i kemi pasur dy vrasje si pasojë e dhunës në familje, kështu që këto statistika dhe i tërë realiteti neve na shqetëson shumë. Ende më shqetësues është fakti që statistikat nuk e tregojnë tërësisht realitetin, në fakt ne besojmë që numri i viktimave dhe i personave që përjetojnë dhunë në familje është edhe më i madh se ky që është paraqitur tek institucionet”, tha ajo.

Sipas një hulumtimit të bërë nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës në vitin 2015 del se 68 për qind të viktimave të dhunës në familje janë gratë, ndërsa 56 për qind e burrave kanë deklaruar se kanë përjetuar dhunë në familje.

“Prej tyre për qindje më e lartë janë gratë dhe vajzat që janë deklaruar se kanë qenë viktima të dhunës në familje, pra ku e përbëjnë 68 për qind të rasteve janë gra dhe vajza dhe 56 për qind janë burra dhe djem që janë deklaruar se kanë përjetuar dhunë në familje gjatë jetës së tyre të dyja këto shifra janë mjaftë të larta si për burra ashtu edhe për grat, prandaj ne duhet ta kuptojmë që dhuna në familje është një problem shumë i rëndësishëm që i prek gjithë shoqërinë veçanërisht gratë dhe vajzat dhe duhet që ta luftojmë dhe ta ndalojmë këtë fenomen”, tha ajo.

Sociologu, Ferdi Kamberi ka thënë se faktorët kryesor që po ndikojnë në numrin e madh të dhunës në familje janë mungesa e komunikimit të mirëfilltë në mes bashkëshortëve, papunësia, varfëria, toleromi i dhunës dhe mungesa e zbatimit të legjislacionit.

“Mungesa e zbatimit të legjislacionit, kur dihet që Kosova ka bërë një punë të madhe sa i përket marrjes së praktikave më të mirë për hartimin e legjislacionit, mungesa e një komunikimi të mirëfilltë në mes të bashkëshortëve, faktorët socio – ekonomik të cilët prodhojnë papunësi dhe varfëri, tolerimi i dhunës nga ana e vet viktimave, mungesa e qendrave strehuese të viktimave të dhunës në familje, faktorë të tjerë mund të jenë edhe faktorët individual si ato të përdorimit të drogës, alkoolit, depresionit, si dhe faktorë të tjerë”, ka thënë Kamberi nëpërmjet postës elektronike.

Po ashtu, sipas Kamberit faktorë tjerë që çon deri tek dhuna në familje është ndikimi i mediave të cilët në një ose tjetrën mënyrë mund të ndikojnë që përmes stereotipave mediale sidomos kur gruan e paraqesin me një gjuhë denigruese e cila pastaj mund jetë një imazh ndaj shfaqjes së dhunës në familje.

Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës në pesë vitet e fundit ka pasur luhatje të numrit të rasteve të raportuara për dhunë në familje, ku për vitin 2016 janë raportuar gjithsej 1225 raste, në vitin 2015 janë raportuar komplet 1038 raste, në vitin 2014 janë raportuar gjithsej 1179 raste, dhe në vitin 2013 janë raportuar 1087 raste.