Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka zhvilluar mbledhjen e saj të 23-të, e para në vitin 2018.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në këtë mbledhje kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar dokumente dhe vendime të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore, transmeton Koha.net.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në përputhje me angazhimet dhe prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme është miratuar Plani i veprimit për rritjen e punësimit të të rinjve 2018-2020. Ky është një plan ndër sektorial dhe pjesë e dokumenteve strategjike të Republikës së Kosovës, të cilat si bosht orientues kanë Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit. Plani ka objektivë kryesor rritjen e punësimit të të rinjve dhe synon që të arrihet përmes rritjes së qasjes së të rinjve në tregun e punës; zhvillimin e ndërmarrësisë; harmonizimin e arsimit me tregun e punës dhe ngritjen e cilësisë së arsimimit praktik të të rinjve”, thuhet në komunikatë.
Më tutje thuhet se, “në mbledhjen e sotme është aprovuar nisma për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare në fushën e shëndetësisë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Japonisë. Me qëllim të realizimit të programit të zhvillimit ekonomik dhe social në Republikën e Kosovës, Qeveria e Japonisë do të ndajë një grant në vlerën prej 150 milionë JEN japonez (rreth 1.1 milion euro). Mjetet do të përdoren për blerjen e pajisjeve mjekësore dhe mirëmbajtjen e tyre”.
Është miratuar nga Qeveria edhe vendimi përfundimtar për shpronësimin për interes publik, të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga ndërtimi i rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë. Pronat gjenden në zonën kadastrale Stanovc i Epërm në komunën e Vushtrrisë.
Qeveria e Kosovës, thuhet në komunikatë, ka miratuar edhe vendimin preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i autostradës Prishtinë-Hani i Elezit. Pronat gjenden ne zonat kadastrale Doganaj, Soponicë, Rekë, Nikaj, Biqec, Koxhaj, Gajre, Gjurgjidell, Kaçanik, Kaçanik i Vjetër të Komunës së Kaçanikut dhe në zonat kadastrale Paldenicë dhe Pustenik të komunës Hani i Elezit.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Rregulloren për kthimin e personave të zhvendosur dhe zgjidhje të qëndrueshme. Rregullorja krijon kushtet e nevojshme për arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për personat e zhvendosur brenda Kosovës dhe në rajon, në periudhën nga 28 shkurti 1998 deri më 31 mars 2014. Në të përcaktohen përgjegjësitë e organeve kompetente dhe vendimmarrëse, si dhe procedurat dhe kriteret për asistencë.
Qeveria me vendim ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Infrastrukturës për të nisur negociatat për lidhjen e Marrëveshjes për shërbime të transportit ajror në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Me kërkesë të ministrit të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, është aprovuar vendimi që t’i rekomandohet presidentit që të autorizojë Marrëveshjen e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli ka njoftuar kabinetin qeveritar me përgatitjet që janë duke u zhvilluar për aplikim dhe anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës. Është themeluar një grup punues nga ekspert të ministrisë dhe ekspertë nga shoqëria civile që do të përgatisin një plan të veprimit për institucionet e Republikës së Kosovës. Zëvendëskryeministri Pacolli ka bërë të ditur se është duke u punuar edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol.
Haradinaj ka vlerësuar angazhimet dhe ka kërkuar koordinim të aktiviteteve nga të gjithë akterët institucionalë që procesi i anëtarësimit në këto organizata të rëndësishme ndërkombëtare të përfundojë me sukses.