Arbëri

Hajnia e diskriminimi me letra i qytetarëve

“Për mashkullin është më e rëndomtë që ai të jetë më garues, dominues dhe ngulmues. Për femrat gjithashtu është më e rëndomtë që të jenë më anksioze, të depresuara, të kenë vetëbesim më të ulët dhe shpërndajnë thashetheme të paqena”.

Kështu shkruhet në librin “Psikologjia e klasës së 11-të”, në të cilën përdoren fjali fyese ndaj femrës dhe përmbajtje të tjera diskriminuese, shkruan “Koha Ditore”.

Tekstet shkollore si ky ilustrojnë gjendjen alarmante të dijës që marrin të rinjtë në institucionet arsimore të Kosovës. Diskriminimi mbi baza gjinore fillon pikërisht nga këto tekste, për të vazhduar më pas edhe në institucione shtetërore.

“Mos e lësho fjalën si... po e din ti”, i pat thënë kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetes së Vetëvendosjes, Drita Millaku, në një seancë plenare të Kuvendit, duke e krahasuar atë me “lopë”. Të papërmbajtur në fjalorë dhe fyes ndaj deputeteve kanë qenë edhe deputetët Fisnik Ismaili nga Lëvizja Vetëvendosje e Milaim Zeka nga Nisma për Kosovën.

Përveç diskriminimit e fyerjes, viti që po e lëmë pas do të mbahet mend edhe për një sërë shkeljesh të të drejtave të njeriut. Faturimi i kostos së energjisë të shpenzuar në veri te konsumatorët e tjerë, faturimi paushall i ujit, diskriminimi i komunitetit LGBTI, gjendja e pensionistëve, e drejta në pronësi e grave, dhuna në familje, dhuna ndaj fëmijëve - janë disa nga shkeljet që kanë ndodhur gjatë 2017.

Për këto dhe shkelje të tjera, në institucionin e Avokatit të Popullit këtë vit janë paraqitur 1774 ankesa, prej të cilave 819 raste janë hapur për hetim.

Faturimi paushall e “vjedhja me letra”

Qytetarët e Kosovës tashmë janë mësuar me faturime paushalle e “vjedhje me letra”. E dinë se edhe nëse nuk ka ujëmatës, fatura të vjen te dera. S’ka lidhje sa ke harxhuar, një shumë detyrohesh që ta paguash, deshe apo jo.

Këtë praktikë e ka kritikuar ashpër Institucioni i Avokatit të Popullit, i cili në një raport të bërë në fillim të vitit ka potencuar se faturimi paushall i ujit kërcënon me mosrespektim të të drejtave të njeriut dhe është shkelje e Kushtetutës së Kosovës. Aty vë në pah se neni 1 i Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e paraqet “pronë” pasurinë e shprehur në të holla të konsumatorëve, të fituar përmes pagës apo edhe pensionit.

Çdo ndërhyrje në “pasurinë” e konsumatorit, që nuk është bërë në pajtim me ligj paraqet shkelje të kësaj të drejte dhe thekson se faturimi i ujit assesi nuk mund të jetë shkelje e kësaj të drejte, por të njëjtën do ta shkaktojë faturimi i ujit në mënyrë joproporcionale... (shkrimin e plotë e gjeni në numrin special të “Kohës Ditore” për Vitin e Ri)