VV ende s’e di nëse do ta përkrahë pr/ligjin për amnisti të propozuar nga AAK

03 janar 2018 19:11

Grupi parlamentar i Vetëvendosjes ende nuk ka marrë qëndrim nëse do të përkrahë Projektligjin për amnistinë, të iniciuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ky Projektligj, nëse arrin të miratohet në Kuvend, përveç lirimit të tyre nga aktakuza, obligon gjykatat që të fshijnë edhe historitë e dënimeve edhe në qoftë se ato janë të formës së prerë, raporton KTV.

Amnistia si akt është i lejuar edhe me Kushtetutën e Kosovës. Por, njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj, thotë se problemi qëndron në faktin që ligjet e tilla kanë predispozita që të keqpërdoren.

Si shembull, ai i ka përmendur Projektligjin për amnistinë e pjesëtarëve të strukturave paralele serbe në pjesën veriore, përmes të cilit u synua që të krijoheshin kushte për integrimin e tyre.

Miftaraj thekson se Ligji rrezikon të mos fuqizohet, edhe për shkak se mund të vlerësohet si konflikt interesi.

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i mbështetur nga 10 deputetë të Kuvendit, ka hartuar këtë Projektligj që pretendon të ofrojë amnisti për deputetët që në legjislaturën e kaluar hodhën gaz lotsjellës dhe penguan punën e Kuvendit të Kosovës.

Projektligji është paraparë që të hidhet në votim në janarin e 2018-s.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme