Arbëri

Lushi kërkon dënimin edhe të Haradinajt për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend

Publicisti Uk Lushi, ka reaguar ndaj dënimit të katër deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Në një postim në Facebook, Lushi ka shkruar se dënimi me kusht i deputetëve të VV-së është dënim me kusht për Kosovën.

Lushi ka shkruar se përveç katër deputetëve të VV-së, duhet të ngrihen padi dhe të dënohen edhe kryeministri, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ministri Pal Lekaj, deputetja Time Kadrijaj dhe deputetët Haxhi Shala e Rexhep Selimi.

“Tash, që parodia gjyqësore të mos shndërrohet në farsën më të turpshme juridike në historinë e Kosovës, duhet të ngriten padi dhe të dënohen kryeministri Ramush Haradinaj, zv.kryeministri Fatmir Limaj, ministri Pal Lekaj, deputetja Time Kadrijaj, deputeti Haxhi Shala, deputeti Rexhep Selimi dhe e pakta 20 ish-- apo deputetë aktualë nga VV-ja, AAK-ja dhe Nisma, që kanë marrë pjesë në veprimin politik me lotësjellës të opozitës në vitet 2015 dhe 2016”, ka shkruar Lushi.

“Ky dënim dhe aktgjykimi i sotëm i Gjykatësit Kalludra janë fara më e rrezikshme që është mbjellur në tokën politike të Kosovës prej çlirimit nga Serbia. Drejtësia selektive është më e keqe se padrejtësia dhe nëse nuk gjendet zgjidhje do ta shkatërrojë shtetin. Shpresa e vetme mbeten deputetët e Kuvendit të cilët duhet t'a çrrënjosin legjislativisht bimën e fares së keqe nga toka e Kosovës sa më shpejt”, ka shkruar ai.