Qeveria ndan rreth 28 mijë euro për rezidencën presidenciale “Ibrahim Rugova”

01 janar 2018 21:18

Nga 11 shtatori kur është mbajtur mbledhja e parë e udhëhequr nga kryeministri Haradinaj, me vendim të Qeverisë janë ndarë afër 4 milionë euro, shumica e tyre ishin “Shpenzime të paparashikuara”.

I pari vendim nuk kishte kosto financiare, pasi u bë shkarkimi i komisionit për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, që udhëhiqej nga Murat Meha, por në mbledhjen e dytë, ishin ndarë 100 mijë dollarë për ndihmë familjeve amerikane të prekura nga uragani Harvey, raporton KTV.

Në mbledhjen e katërt, ishin ndarë gjithsej 1 milion e 329 mijë e 676 euro.

44 mijë e 550 euro kishin shkuar për punën e dy vjetëve të Komisionit qeveritar për njohje të statusit të ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, ndërsa 528 mijë e 876 euro për Shoqatën e Invalidëve të Luftës, për rregullimin e protezave të këmbëve, duarve, e shërim të syve për invalidë të luftës dhe rehabilitimin e tyre.

356 mijë e 300 euro u ndanë për renovimin e shkollës “Musa Hoti” në Mitrovicë, e dëmtuar nga zjarri, ndërsa 200 mijë të tjera ngrohtores në Gjakovë për mazut, e gjithashtu 200 mijë euro për procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të personave të dhunuar gjatë luftës.

Në mesin e vendimeve që bien në sy, është edhe një kërkesë e Ministrisë së Kulturës, 27 mijë e 857 euro, për të paguar punonjës me kontrata për shërbime të veçanta, në rezidencën presidenciale “Ibrahim Rugova”.

Me datën 10 nëntor, Qeveria i kishte ndarë 290 mijë euro për të mbuluar shpenzimet e familjeve të të vrarëve dhe të dënuarve nga Kosova, në rastin “Kumanova”.

Gjithashtu, një vendim tjetër, ishte edhe ai për t’i paguar Kishës Ortodokse Serbe, qira për shfrytëzimin e objektit, që pretendohet se nuk u takon, në vlerë prej 285 mijë e 484 euro.

720 mijë euro, po ashtu nga kategoria ‘shpenzime të paparashikuara’, ishin ndarë si obligime të papaguara për “Loyola Gymnasium”, obligim i dalë nga një Memorandumi i këtij asociacioni me Ministrinë e Arsimit dhe Komunën e Prizrenit.

30 mijë euro për shërim jashtë vendit për Bujar Bukoshin u ndanë me vendim në mbledhjen e datës 6 dhjetor, po ashtu si shpenzim i paparashikuar.

Gjithashtu, një tjetër vendim ishte edhe ai për të mbuluar shpenzimet e një kampionati të karatesë që ishte zhvilluar në muajin qershor, në vlerë prej 73 mijë e 826 eurosh.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë, ishin ndarë edhe 27 mijë e 250 euro për një tjetër organizatë joqeveritare, “Qendrën e Komunitetit Ashkali”, që synonte shpërndarjen e pakove ushqimore e higjienike për komunitetet rom, ashkali e egjiptian.

Në total, janë 3 milionë e 670 mijë e 846 euro, pa i llogaritur këtu edhe dy raste kur janë ndarë nga 100 mijë dollarë, që shumën e çojnë në afër 4 milionë euro.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Hasani08/01/2018 14:49

Hajni ne pike te dites! Se pak ka vjedhe Uke Rugova, veq edhe shteti me ju dhane pare ne kohen kur fukarate po vdesin uni!

Shto koment

Të ngjashme