GAP: Nivel mesatar i transparencës buxhetore të komunave

GAP: Nivel mesatar i transparencës buxhetore të komunave

28 dhjetor 2017 11:49

Instituti GAP sot ka organizuar konferencë për media ku është publikuar analiza me titull “GAP Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2017”.

Kjo analizë, transmeton Koha.net, prezanton një vlerësim të transparencës buxhetore të komunave në Kosovë duke e analizuar legjislacionin dhe gjendjen reale dhe duke i renditur komunat në bazë të performancës më të mire.

Berat Thaqi, analist politikash në Institutin GAP, theksoi se indeksi i transparencës buxhetore komunale bën një vlerësim dhe renditje të komunave varësisht nga numri i dokumenteve të publikuara, dëgjimeve buxhetore me qytetarë dhe përgjigjet në kërkesat e Institutit GAP për qasje në dokumente buxhetore. Përveç vlerësimit të transparencës buxhetore, kjo analizë përfshin të dhënat nga një anketë e realizuar me qytetarë lidhur me njohuritë e tyre sa i përket buxhetit lokal. Sipas të gjeturave, rreth 81% e qytetarëve nuk kanë marr pjesë në asnjë tubim publik të organizuar nga komuna në 12 muajt e fundit, ndërsa gjysma nuk janë të informuar se komuna ka obligim të organizojë dëgjime publike me qytetarë sa i përket buxhetit.

Blendi Hasaj, Hulumtues në Institutin GAP, shpjegoi metodologjinë dhe të gjeturat e Indeksit të Institutit GAP për transparencën buxhetore të komunave. Ai shpjegoi se një komunë mund të merr maksimumin e pikëve vetëm në rast se i ka publikuar të gjitha dokumentet buxhetore lidhur me buxhetin e vitit 2016 në faqen e internetit në formatin Excel dhe ka organizuar të paktën katër dëgjime buxhetore. Gjithashtu, ai sqaroi se duke marrë parasysh se ky është vetëm indeks i publikimit të dokumenteve buxhetore dhe nuk e shikon cilësinë e dokumenteve të publikuara nga komunat dhe se monitorimi i ueb-faqeve të komunave është bërë deri në muajin korrik të 2017.

Sa i përket të gjeturave të indeksit, Hasaj theksoi se rezultatet tregojnë një nivel mesatar të transparencës buxhetore të komunave. Nga 34 komuna të vlerësuara, afro gjysma e tyre kanë mbledhur mbi 50 pikë në indeks. Sidoqoftë, shqetësues mbetet fakti që 21 komuna (62%) nuk kanë publikuar në ueb-faqet e tyre, ose nuk kanë ofruar dokumente zyrtare pas kërkesës së dorëzuar nga Instituti GAP, një apo më shumë dokumente të cilat janë të detyruara t'i publikojnë dhe t’i bëjnë të qasshme për qytetarët. Në shumicën e rasteve, këto komuna nuk kanë publikuar ndonjërin prej raporteve financiare tremujore, raportin përmbledhës të buxhetit të vitit 2016 dhe në raste më të rralla ndonjë dokument tjetër.

Në fund, Berat Thaqi nga Instituti theksoi se ky indeks do të publikohet në baza vjetore nga Instituti GAP dhe përveç vlerësimit, kjo analizë përmban rekomandime konkrete se si mund të përmirësohet transparenca buxhetore për secilën komunë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme