Arbëri

Vuçiq: Dialogu në Bruksel do të vazhdojë siç do Serbia, e jo siç donë shqiptarët e Kosovës

Descriptive Text

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në ka thënë se shqiptarët e Kosovës nuk bëjnë asgjë në mënyrë të pavarur për veten e tyre, dhe ka porositur se vazhdimi i dialogut, për sa i përket pjesëmarrësve, do të jetë i atillë siç thotë Serbia.

Vuçiq, në një intervistë për televizionin serb “Pink”, ka thënë se dialogu do të vazhdojë ashtu siç do Serbia për faktin se ofron kompromis.

“E vazhdojmë dialogun, por jo siç ju e dëshironi, sepse pyetet edhe Serbia. Do të jetë i atillë siç thotë Serbia. Jo pse dëshiron kështu, por sepse ofron kompromis”, ka thënë Vuçiq, transmeton Koha.net.

Në pyetjen në lidhje me kërkesat e shqiptarëve për përfshirjen e SHBA-së, por edhe për kundërshtimin që po i bëhet Gjykatës Speciale, Vuçiq ka thënë se “shqiptarët nuk bëjnë asgjë në mënyrë të pavarur, të tjerët vendosin, jo ata”.

“Dëshironi të fusni një lojtar shtesë? Nëse dëshironi dikë që e ka njohur Kosovën, Serbia kërkon dikë që nuk e ka bërë këtë, e kjo është Rusia”, ka thënë ai, dhe ka shtuar se për çështje ka biseduar edhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe ka marrë përkrahjen e tij.

Ai ka përsëritur se Serbia nuk do të kërkojë ndryshim të formatit të dialogut, se shkon në dialog në mënyrë objektive dhe neutrale, sa më shumë që të jetë e mundur, sepse gjithsesi është dëmtuar, dhe tha se Serbia nuk duhet të sillet në një situatë që është e pamundur.

Presidenti serb tha se është BE-ja ajo që i drejton bisedimet, duke shtuar se për serbët do të ishte më mirë sikur ky dialog të drejtohej nga OKB.

“I kemi pasur Jeremiqin, Tadiqin e Gjillasin, që na e kanë marrë të drejtën që vendimet të merren në OKB, por ne jemi për dialog dhe do të vazhdojmë”, tha ai.

Në deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se e respekton Vuçiqin sepse “lufton për popullin e tij”, presidenti serb tha se gjithmonë lufton për popullin dhe Serbinë.

“Do të ishte shumë më e lehtë që kur të shkojmë në Bruksel të ulemi e të ndezim nga një cigare, të pimë uiski, dhe të na duan më së shumti në botë, por ne luftojmë për popullin tonë dhe për Serbinë tonë. Jam i sigurt se edhe Haradinaj e di këtë, të cilin ende s’e kam takuar”, tha ai, duke shtuar se në dialog gjithmonë ka qenë vështirë.

Ai ka thënë se sponsorë të Kosovës së pavarur janë 22 shtete të BE-së dhe SHBA-ka, të cilat sigurisht se nuk do ta tërheqin vendimin e tyre dhe ata kujdesen shumë për çkado që bëjnë shqiptarët e Kosovës.

Për sa i përket kundërshtimit të Gjykatës Speciale, Vuçiq ka thënë se kjo është një shfaqje e cila zhvillohet për të bërë presion në atë se kush nuk duhet të jetë në listën e të akuzuarve.