Arbëri

Haradinaj për rritjen e rrogës së vet: S’mund të dal dosido, më duhet një kravatë, një këmishë…

Pozita e kryeministrit të Kosovës është pozitë e lartë politike dhe institucionale me përgjegjësi të mëdha, prandaj edhe paga nevojitet të jetë më e madhe. Bazuar në këtë logjikë, Ramush Haradinaj ia ka rritur vetes rrogën për 100 për qind - në 2950 euro.

“Rritjen e pagës time e kam bërë për integritetin e profesionit”, pohoi kryeministri në një intervistë në televizionin publik. “Nuk dua të shoh integritetin e cenuar. Nuk është në pyetje parja, por porosia”.

Haradinaj shprehet se ekzistojnë edhe arsye të tjera që vlejnë të merren parasysh për këtë rritje. Ai e pranon që ka edhe të ardhura të tjera, por thotë që po të mos kishte, rroga e kaluar s’do t’i mjaftonte.

“S’mund të dal dosido, obligohem për një kravatë, një këmishë...”, thotë ai.

Ndërkaq, ai foli edhe për tentimin e mbrëmshëm për të zhbërë Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës. Ai tha se nëse Kuvendi i Kosovës do të miratonte kërkesën e 43 deputetëve për rrëzimin e ligjit për Gjykatën Speciale, atëherë qeveria do ta respektonte.

“Si kryeministër i vendit, obligohem që t’i respektoj vendimet që vijnë nga Kuvendi”, deklaroi Haradinaj.

Sipas tij, amandamentimi i Ligjit është korrekt, “sepse tregon se Kosova ka vetëbesim në marrjen e vendimeve”.

Ndërsa, sa i përket konsekuencave të mundshme ndërkombëtare me shfuqizimin e Ligjit, kryeministri tha se nuk është bërë ndonjë “mostër” për pasojat ose eventualisht fitimet. Por, pavarësisht këtyre, Haradinaj tha se Kosovës i është vënë një barrë e madhe me miratimin e Gjykatës meqë një gjykatë të tillë thotë se nuk e ka asnjë vend nga ish-Jugosllavia.

Pavarësisht presionit nga shtetet QUINT-it, ai tha se kërkesa e 43 deputetëve nuk kishte për qëllim “shpëtimin” subjektiv, por ishte objektiv dhe parimor për vendin.