Arbëri

Tentim-zhbërja e Speciales dhe reagimet për këtë veprim

“Unë nuk mund ta imagjinoj këtë rrugëtim të së ardhmes sonë si vend shoqëri dhe institucione të izoluara, por si proces që lëvizim bashkërisht pa dallime partiake, në të njëjtën kohë me bashkëpunim të ngushtë me SHBA, BE-në dhe NATO-n. Prandaj, deputetë të nderuar, ju ftoj të gjithëve të votoni pro themelimit të Gjykatës Speciale”.

Këto deklarata i kishte bërë presidenti Hashim Thaçi, para votimit të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për Gjykatën Speciale, në fillim-gushtin e vitit 2015, raporton KTV.

Kësaj periudhe dhe tentimit të parë për të votuar legjislacionin në korrik të atij viti, u është referuar deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ku edhe ka kërkuar dorëheqjen presidentit Thaçi.

Dorëheqje Thaçit, por edhe qeverisë i ka kërkuar edhe deputeti i Alternativës, Ilir Deda.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk e kishin kërkuar ata Gjykatën, por se dikush e meriton atë.

E një tjetër deputet tani nga radhët e pozitës, Milaim Zeka, është ankuar se janë mashtruar me nënshkrimet dhe se kishin menduar se do të debatonin për peticionin.

E pas heshtjes, Presidenti Thaçi ka zgjedhur të reagojë në një tjetër rrjet social, në Twitter.

Por pas asaj që u vlerësua si ‘nata më e rrezikshme’ për Kosovën, ambasadorët e shteteve të QUINT-it i kanë shkuar kryeministrit Ramush Haradinaj në qeveri.

Por, në një takim me kryesinë e partisë së tij, Haradinaj, e ka konsideruar të padrejtë Gjykatën Speciale dhe që do të dëmtojë imazhin e Kosovës. Haradinaj, në këtë deklarim është shprehur i gatshëm të shkojë edhe në zgjedhje të jashtëzakonshme, e opozitën e ka porositur të masë veten nëse janë të gatshëm edhe ata.