Arbëri

Vulin: Nëse Kosova e zhbën Specialen, ndërpresim dialogun

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se nëse Kosova zhbën Gjykatën Speciale, Gjykatë e cila ende s’ka filluar punën dhe nuk ka lëshuar ende asnjë aktakuzë, atëherë Beogradi nuk ka çfarë të kërkojë në dialogun me Prishtinën.

“Ende s’e kemi Asociacionin e komunave serbe, dhe s’ka arsyetim për këtë, e tani, nëse nuk lejohet formimi as i Gjykatës për krime lufte ndaj serbëve, për pjesëtarët e UÇK-së, atëherë s’kemi për çka të bisedojmë”, ka thënë Vulin për mediat serbe, transmeton Koha.net.

“E përsëris edhe njëherë: ky është qëndrimi im, jo i Qeverisë [serbe] sepse nuk është mbledhur për këtë çështje. Por, unë do të paraqes një qëndrim të këtillë: ndërprerjen e bisedimeve nëse nuk janë në gjendje të zbatojnë as atë detyrim të vogël civilizues”, ka shtuar ai.

Ministri serb ka thënë po ashtu se që nga ardhja e bashkësisë ndërkombëtare, “në Kosovë janë vrarë mbi 1.000 serbë” dhe se për këtë “pothuajse nuk janë përgjigjur, ndërsa tani tentojnë që të zhbëjnë Gjykatën në mënyrë që të mos vijë më kurrë rasti që të gjykohen për krimet ndaj serbëve”.

“Nëse kjo ndodh, qëndrimi im është që të ndërpresim dialogun”, përsëriti Vulin.

Sipas tij, as nga bashkësia ndërkombëtare nuk ka gatishmëri që të gjykohen krimet ndaj serbëve.