Arbëri

VV: Aktgjykimi i Kalludrës jashtë çdo standardi etik e profesional

Para tri ditësh Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpërndarë tek avokatët aktgjykimin dënues për katër aktivistët tanë. Ky aktgjykim nuk bazohet në fakte e as dëshmi por vetëm në insinuata, përshkrime hipotetike dhe interpretime të rrethanave faktike. Kjo është skandaloze dhe e papercedentë për drejtësinë. Kjo u tha nga deputetët Albulena Haxhiu dhe Sami Kurteshi në konferencën e përgatitur nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Me aktgjykimin e nxjerrë nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Beqir Kalludra është destabilizuar standardi juridiko – penal sa i përket konstatimit të përgjegjësisë penale dhe standardit të provuarit”, ka thënë Haxhiu.

Ka shtuar se asnjë provë konkrete nuk i vërteton pretendimet që cilido nga aktivistët është involvuar në rastin në fjalë. Është tërësisht e papranueshme ligjërisht që ky trup gjykues mos të përfshijë rrethanat shfajësuese të cilat janë në shumicë absolute. Përkundrazi gjyqtari Kalludra me kolegë të tij, kanë përshtatur sipas insinuatav të tyre provat që ishin në favor të aktivistëve tanë dhe të njëjtat i kthyen në dëm të tyre.

Deputeti Sami Kurteshi ka folur edhe më gjerë për Beqir Kalludrën i cili dje ia mundësoi Kadri Veselit që të mos dëshmonte fare në seancën për deputetët tanë.

“Jo rastësisht Beqir Kalludra është i caktuar në të gjitha proceset gjyqësore kundër Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo tregon se ai është pjesëtar i klanit “Pronto” brenda gjyqësorit”.

Kurteshi tha se Kalludra vuan nga mungesa totale e etikës gjyqësore dhe juridike.

“Urrejtja e tij politike kundër Lëvizjes Vetëvendosje shpjegohet edhe me shpërfaqjen e një statusi të Kalldurës në Facebook ku citon udhëheqësin politik e ushtarak të nazizmit, Adolf HItlerit”. Për këtë veprim, Kurteshi i ka bërë thirrje Këshillit Prokurorial dhe atij të Gjyqësorit që të merren seriozisht.

Poashtu, Kurteshi foli për Prokurorinë Themelore të Prizrenit që është deklaruar për një ‘superekspertizë’ për rastin e aktivistit Astrit Dehari i cili humbi jetën dhunshëm në burgun e Prizrenit. Kurteshi ripërsëriti kërkesën e familjes së Astrit Deharit që është hetim i pavarur nga një institut mjeko – ligjor.

“Ne shpresojmë që ankesat me të cilat do të goditet ky aktgjykim i turpshëm do të rikuptimsojnë shkallshmërinë e sistemit në gjyqësor”, tha ndër të tjera.

Gjykata e Apelit ka për detyrë kushtetuese dhe ligjore që ta mbrojë secilin qytetar nga arbitrariteti i mundshëm gjyqësor.