Arbëri

Bytyqi: Arsimi profesional prioritet i MASHT-it për vitin 2018

Descriptive Text

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka mbajtur konferencën e fundvitit, ku me këtë rast Ministri, Shyqiri Bytyqi, tha se gjatë periudhës që ka udhëhequr me këtë ministri kanë bërë përparime, por se ka pranuar se mbetet ende shumë për t’u bërë.

Gjatë kësaj periudhe Bytyqi tha se MASHT-i ka arritur që të ulë në një masë të madhe braktisjen e shkollave, ka vazhduar ndërtimin dhe renovimin tyre, derisa ka shtuar se janë duke e shqyrtuar mundësinë për mbajtjen e mësimit me një ndërrim.

Si të arritur tjetër, Bytyqi e ka cilësuar trajnimin e mësimdhënësve për arsimin me nevoja të veçanta, përcjell kp.

Ministri ka njoftuar edhe për themelimin e komisionit që ka të bëjë për testin e cilësisë në mësim i njohur si PISA.

“Për PISA 2018 ne e kemi angazhuar një komision që deri tek mbajtja e PISA-s të mbajmë teste provuese. Ky test paraprovues i ka dy qëllime, e para është të shohim ku jemi dhe të ngrisim nivelin e përgjegjësisë tek drejtorët e shkollave për rëndësinë e këtij testi. Risia e 2018 është që testi do të jetë digjital”, tha Bytyqi.

Bytyqi është zotuar se gjatë vitit të ardhshëm prioritet i MASHT-it do të jetë aftësimi dhe arsimi profesional.

“Jemi në përpilim të një strategjie nacionale për shkollat profesionale”, tha Bytyqi.