Arbëri

Serbia nuk voton në dëm të Rusisë

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se Serbia nuk voton në dëm të Rusisë, transmeton Koha.net.

Ai ka theksuar kështu duke folur për deklarimin e përfaqësuesit të Serbisë kundër Rezolutës për Krimenë në Kombet e Bashkuara.

Vuçiq, gjatë ligjëratës në Institutin shtetëror të marrëdhënieve ndërkombëtare në Moskë iu shtrua pyetja lidhur me deklarimin serb kundër rezolutës si dhe cili është qëndrimi i Serbisë ndaj situatës në Krime.

"Do të përgjigjem atë mundem dhe guxoj si kryetar i Serbisë. Detyrë e Serbisë është të mos e dëmtojë Rusinë. Serbia në asnjë mënyrë nuk voton ashtu që të dëmtojë interesat e Rusisë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në asnjë forum ndërkombëtar", tha Vuçiq .

"Megjithëkëtë, ju duhet ta kuptoni edhe pozicionin tonë lidhur me Kosovën, mendoj se e keni kuptuar mirë mesazhin tim", ka thënë kryetari.

Rezolutën në KB e kishte paraqitur Ukraina dhe në të kërkohej që Rusia të përmbushë 12 rekomandime për t’iu dhënë fund shkeljes së të drejtave të njeriut për banorët e Krimesë.

Për miratimin e dokumentit votuan, 79 shtete, kundër ishin 26 e të përmbajtura 76.

Në mesin e vendeve që e përkrahen ishin shumica e shteteve europiane dhe SHBA-ja.

Pos Serbisë, kundër kësaj rezolute kanë qenë Rusia, Kina, India, Armenia, Koreja Veriore, Bjellorusia, Kuba. Irani... Shumë shtete të Lindjes së Afërt, të Afrikës Veriore dhe të Amerikën Latine kanë qenë të përmbajtura.