Arbëri

Qëndrimi i Surroit për marrëveshjen e demarkacionit

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanoviq në një intervistë ekskluzive dhënë për Rubikon të KTV-së javë më parë kishte thënë se një mundësi për Kosovën mund të jetë fillimisht ratifikimi i marrëveshjes së shënjimit të kufirit dhe pastaj nëse ka hapësirë, të rishikohet.

Shkrimtari e publicisti, Veton Surroi , në Rubikon të KTV-së tha se një skenar i tillë është i mundshëm.

Sipas tij, pala kosovare duhet të merret vesh mes vete.

Edhe nëse vendoset për rrëzim të marrëveshjes në Kuvend, atëherë kjo të bëhet në qoftë se kanë plan për hapin tjetër.

Ndryshe, theksoi Surroi, është e lehtë vetëm të rrëzohet një marrëveshje.

“Duhet të ulen dhe të gjejnë një shteg. Nuk ekziston një shteg i cili thotë hajde ta rrëzojmë këtë punë dhe pastaj ta fillojmë prej fillimit... Nuk kemi mbështetje politike nga BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duhet të ulemi bashkarisht dhe të shohim cili është shtegu real për të ecur më tutje, a ekziston një sugjerim alternativ për të dalë nga kjo situatë”, ka thënë ai.

Surroi tha se liderët politik duhet të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje.

“Nuk u kemi dhënë votën gjeografëve e as matësve të kadastrës por u kemi dhënë votën njerëzvë që kanë përgjegjësi politike”, ka thënë ai.

Surroi ka thënë se pala malazeze nuk ka pse të ndryshojë qëndrim karshi procesit të demarkacionit.