Arbëri

Çfarë u tha sot për Demarkacionin në Komisionin për Punë të Jashtme

Komisioni për Punë të Jashtme e ka ftuar kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Komisionin Shtetëror për Shënjimin e kufirit me Malin e Zi, që të raportojnë më 26 dhjetor, raporton KTV.

Sipas anëtarëve të këtij komisioni, kryeministri duhet të sqarojë pretendimet e Komisionit të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, se ka pasur falsifikime të disa hartave nga Komisioni paraprak i udhëhequr nga Murat Meha.

Kryeministri Haradinaj është ftuar të raportojë në Komisionin për Punë të Jashtme, për të sqaruar pretendimet e Komisionit Shtetëror për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, se ka pasur falsifikim të disa hartave nga komisioni paraprak i udhëhequr nga Murat Meha.

Kryetarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani, ka thënë se këto pretendime përbëjnë vepër penale dhe kryeministri duhet të japë përgjigje së bashku me komisionin e ngarkuar për demarkacion.

Edhe anëtarët e Vetëvendosjes në këtë komision, Visar Ymeri e Aida Dërguti, kanë kërkuar shpjegime nga ana e kryeministrit Haradinaj për pretendimet për falsifikim të hartave.

I të njëjtit mendim ishte edhe deputeti Zafir Berisha i Nismës për Kosovën.

PDK-ja tashmë është e vendosur se do ta votojë marrëveshjen e demarkacionit të vitit 2015.

Edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka kërkuar miratim të demarkacionit. Ai ka thënë se nëse nuk ratifikohet në janar, atëherë jo vetëm në vitin 2018, por edhe në vitin 2019 nuk do të ketë liberalizim të vizave.