Arbëri

Haradinaj konstaton se Kosova është në krizë energjetike

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar në orët e hershme të mëngjesit Korporatën Energjetike të Kosovës, ku është njoftuar nga menaxhmenti për situatën aktuale me furnizim me energji elektrike.

“Qëllimi i vizitës është të shoh si është situata me prodhim, çka pritet nga tash e deri në muajin mars, sa prodhojmë, sa blejmë dhe në çfarë kapaciteti jemi”, tha kryeministri Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri gjatë kësaj vizite është interesuar edhe për zhvendosjen e banorëve të Shipitullës, pjesës së mbetur të lagjes Mirena.

“Gjendja është nën kontroll. Tani e tutje do të blejmë rrymë sepse rezervat e thëngjillit janë të pakta për të punuar të gjitha njësitë, mirëpo gjendja është stabile. Mora zotim nga menaxhmenti që do ta rrisim angazhimin me kujdestari të vazhdueshme 24 orë, nga tash deri në muajin mars”, tha kryeministri.

Haradinaj nuk mohoi krizën energjetike që ka Kosova, duke thënë se gjendja është e vështirë, përkundër faktit se në kryeqytet ka më pak reduktime.

“Nëpër vendbanime, nëpër fshatra të largëta, reduktimet janë më të mëdha, por përkeqësim më të madh të gjendjes nuk pritet. Kjo nuk është gjendja e duhur, por po i vuajmë pasojat e mos punës në të kaluarën”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, pasi falënderoi kryeministrin për angazhimin, tha se Korporata Energjetike e Kosovës ka kaluar një sfidë e cila është ndër sfidat kryesore ose më e madhja që pas luftës, që është shpronësimi.

“Fal angazhimit të Qeverisë, ministrive përkatëse dhe komunës, ne kemi arritur ta përmbyllim dje regjistrimin e pronave dhe presim që brenda kësaj jave ta përmbyllim përfundimisht dhe të fillojmë me punë”, tha drejtori Gjukaj.