Arbëri

Daçiq-Lavrov bisedojnë edhe për Kosovën

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, i cili po qëndron për vizitë në Moskë në kuadër të delegacionit të presidentit Aleksandër Vuçiq, është takuar sot me homologun e tij rus Sergej Lavrov me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet bilaterale dhe Kosovën.

Të dy ministrat vlerësuan nivelin e marrëdhënieve ndërshtetërore si të mira dhe se bashkëpunimi po zhvillohet në të gjitha drejtimet.

Daçiq ka falënderuar Lavrov “për mbështetjen e fuqishme të Rusisë për integritetin territorial të Serbisë” dhe shtoi se “për Serbinë është me rëndësi të madhe që të vazhdojë me Rusinë shkëmbimin e informacioneve në organizatat ndërkombëtare sa i përket Kosovës”, transmeton KP.

Ndryshe, Lavrov ka pranuar ftesën e Daçiqit për të vizituar Serbinë në fillim të vitit të ardhshëm.