Arbëri

KQZ sqaron se pse u refuzuan disa vota me kusht dhe me postë gjatë rivotimit në Istog

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dëshiron të sqarojë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës lidhur me numrin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave përmes postës nga rivotimi për Kryetar të Komunës së Istogut.

Në rivotimin për Kryetar të Komunës së Istogut kanë qenë 481 vota me kusht dhe vota të personave me nevoja të veçanta (VPNV) dhe 24 vota të cilat kanë ardhur përmes Postës.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas përfundimit të procedurave të konfirmimit, jo të gjitha këto vota kanë përmbushur kriteret ligjore për t’u numëruar. Pas përfundimit të kësaj procedure, në QNR, është vërtetuar se nga numri i përgjithshëm (481) i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta që i plotësojnë kriteret ligjore janë 309 të tilla, ndërsa 172 vota janë refuzuar. Kurse, nga numri i përgjithshëm (24) i votave përmes postës, pas procedurave është konfirmuar se të gjitha i plotësojnë kriteret ligjore”, ka thënë KQZ.

Si përfundim, në total vota me kusht dhe VPNV kanë qenë 309, vota përmes postës 24 që në total kanë qenë 333.

Numri i votave me kusht dhe VPNV të refuzuara ka qenë 172.

“Gjatë konfirmimit të votave me kusht dhe VPNV-ve, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë refuzuar 172 zarfe me fletëvotime. Arsyet se përse janë refuzuar këto vota dhe nuk janë numëruar – kanë të bëjnë me mosplotësim të kritereve ligjore”, thotë KQZ, duke sqaruar:

Në 108 raste votuesit nuk kanë qenë në Listën Përfundimtare të Votuesve;

Në 61 raste votuesit nuk kanë qenë nga komuna e Istogut, por nga komuna të tjera;

Në 2 raste votuesit nuk kanë qenë të regjistruar si votues të kategorisë së Nevojave të Veçanta; dhe në 1 rast është vërtetuar se votuesi ka votuar edhe në Vendvotimin e rregullt.

“Me qëllim të sigurimit të një procesi transparent dhe të besueshëm para qytetarëve të Republikës së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar fletëvotimet e konfirmuara të këtyre kategorive në prezencë të mediave, vëzhguesve të subjekteve politike dhe të shoqërisë civile”, ka përfunduar KQZ.