Arbëri

Hoxha: Zbatimi i MSA-së i domosdoshëm

Nën organizimin e Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), është zhvilluar aktiviteti për Platformën për monitorim dhe raportim, ku mori pjesë ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, James Macbeth Forbes, drejtor i GIZ-it për Kosovën, Ambasadori gjerman Christian Heldt e personalitete të shquara vendore e ndërkombëtare.

Në fjalën përshëndetëse, Ministrja Hoxha theksoi se me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Kosova ka hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve me BE-në – atë të marrëdhënieve kontraktuale.

“MSA përcakton mekanizmat dhe afatet zyrtare për zbatimin e të gjitha reformave që do ta përafrojnë Kosovën në mënyrë progresive me BE-në në të gjitha fushat e politikave, deri në anëtarësimin e plotë. Zbatimi i MSA-së tashmë ka filluar të sjellë reforma të thella, ndonëse të ndjeshme, politike e ekonomike”, theksoi Hoxha dhe shtoi se “MSA-ja jo vetëm që pasqyron vullnetin politik të të dyja palëve për jetësimin e perspektivës sonë evropiane, përbën platformën për transformime afatgjata por edhe si test i gatishmërisë së kapaciteteve institucionale për t’i realizuar këto qëllime politike”.

Sipas saj, Kosova, deri në anëtarësimin e plotë, do të miratojë legjislacionin duke e bërë atë pjesë të legjislacionit të saj të brendshëm. Në këtë fazë të re të aderimit në BE, theksoi Ministrja më tej, kemi avancuar kornizën e politikave për integrim evropian, duke e bërë atë më dinamike, më ambicioze, më gjithëpërfshirëse dhe më të integruar, përmes Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.

“Ministria e Integrimit Evropian, si institucion kryesor koordinues, së bashku më institucionet e linjës, ka hartuar Programin për herë të parë në fillim të vitit të kaluar. Programi për Zbatimin e MSA-së përbën dokumentin kryesor strategjik nacional për planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e zbatimit të të gjitha reformave të nevojshme për zbatimin e MSA-së dhe në fazat pasuese të aderimit në BE”, theksoi Hoxha.

Me qëllim të lehtësimit të këtij procesi, tha ministrja e Integrimit Evropian, me mbështetjen nga projekti i GIZ-it, ‘Mbështetje procesit të integrimit evropian në Kosovë’, kemi zhvilluar Platformën online për monitorim dhe raportim për integrim evropian, e cila do të lansohet në përdorim nga janari 2018.

Kjo, tha ajo, do të jetë pikë e integruar për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave nga të gjitha institucionet për zbatimin e kornizës nacionale të politikave për integrim në BE – fillimisht të Programit për Zbatimin e MSA-së dhe Agjendës për Reforma Evropiane.

“Kjo platformë do të bëjë më të qëndrueshëm monitorimin e progresit në zbatimin e agjendës evropiane duke e thjeshtësuar dhe lehtësuar raportimin e rregullt nga secili institucion zbatues theksoi Ministrja Hoxha, dhe shtoi se mundëson raportimin në kohë reale, por edhe si mekanizëm i paralajmërimit të hershëm, duke mundësuar përcjelljen sistematike të ecurisë së zbatimit të reformave”, deklaroi ministrja.

Kjo platformë, gjithashtu, vuri në pah Ministrja, do të përmirësojë llogaridhënien dhe transparencën mes institucioneve publike, si dhe ndaj palëve të tjera të interesuara dhe publikut të gjerë, pasi që udhëheqësit e institucioneve do të kenë mundësi të informohen vazhdimisht mbi progresin e arritur të secilit dikaster.

Në fund, Ministrja Dhurata Hoxha ka falënderuar Ambasadën Gjermane dhe GIZ-in për mbështetjen dhe bashkëpunimin në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Në fjalën e tij, Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, theksoi rëndësinë e procesit integrues duke përgëzuar Ministren Hoxha për punën e Ministrisë që me përkushtim, po dinamizon dhe bën proaktiv këtë proces tejet të rëndësishëm për Kosovën qytetarët e saj.

Ambasadori Heldt siguroi Ministren Hoxha se GIZ-i nuk do të ndalet së përkrahuri Ministrinë, duke shtuar performancën e saj, koordinimin, monitorimin dhe raportimin e procesit. “Platforma shton cilësinë e raportimit dhe fuqizon memorien institucionale”, theksoi Ambasadori.