Arbëri

Shoqëria civile proteston kundër shtrenjtimit të rrymës

Kosova, vendi me më së shumti rezerva të thëngjillit dhe me standardin më të ulët jetësor në Evropë, çmimin e energjisë e ka pothuajse të njëjtë me shtetet e BE-së.

Pikërisht kjo situatë ka nxitur reagimin e shoqërisë civile, e cila ka thirrur protestë për të mërkurën, për ta kundërshtuar mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë, raporton KTV.

Organizatorët e protestës kërkojnë nga institucionet e vendit si dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, që të mos lejojnë rritjen e tarifave për energji.

Qytetarët janë të shqetësuar nga paralajmërimi i shtrenjtimit të rrymës.

Rreth kësaj iniciative për protestë, KEDS-i ka deklaruar se kjo kompani nuk ka autoritet për përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike, gjë që, sipas tyre, kjo protestë është adresuar gabimisht.

“KEDS-i, si kompani që u nënshtrohet ligjeve të Republikës së Kosovës, ka për detyrim të zbatojë politikat e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe nuk ka asnjë ndikim ose autoritet në përcaktimin e çmimeve të energjisë elektrike”.

Sidoqoftë, shoqëria civile thotë se do të protestojë deri sa të marrë garanci se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.