Arbëri

Italianët duan të investojnë për energji në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim investitorët italian nga Kompania “Consorzio Servizi Integrati”, të kryesuar nga përfaqësuesit e kompanisë, Paolo Olmi dhe Domenico Bonanno, të cilët shprehën interesimin e tyre për të investuar në Kosovë në energjinë e ripërtritshme.

Haradinaj mirëpriti gatishmërinë e investitorëve italian dhe i falënderoi që kanë zgjedhur Kosovën, si vend për të shtrirë potencialin e tyre, i cili është shumë i nevojshëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Jemi duke punuar në përmirësimin e legjislacionit përkatës, i cili do të krijojë lehtësira dhe do të favorizojë investitorët e brendshëm dhe të jashtëm, dhe për këtë kemi edhe Ligjin për Investime Strategjike”, tha ai.

Haradinaj theksoi se Qeveria e Kosovës ka arritur marrëveshje me një investitor privat amerikan, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, e që është investimi më i madh në Kosovë, por krahas saj energjia alternative është një prej burimeve shumë të rëndësishme që do të ndikojë edhe në ruajtjen e ambientit.

Investitorët italian, nga ana e tyre, falënderuan kryeministrin për gatishmërinë që Qeveria t’u krijojë hapësirë dhe kushte më të mira investimeve nga jashtë.