Arbëri

AGK dënon ashpër gjuhën e Rafunës së LDK-së ndaj gazetares Avdiu, i kërkon kërkimfalje

Descriptive Text

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon ashpër linçimin publik ndaj gazetares Arta Avdiu nga Këshilltarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Jeta Rafuna.

AGK në reagimin e vet kujton se asamblistja Rafuna, përmes një postimi në facebook, ka akuzuar pa bazë gazetaren Arta Avdiu për lidhje të afërta me Lëvizjen Vetëvendosje, duke përdorur një fotografi nga jeta private e saj.

“AGK konsideron se gjuha e tillë denigruese dhe shpifjet ndaj gazetarëve janë të papranueshme dhe cenojnë rëndë kredibilitetin e gazetarëve dhe lirinë e medieve. Kjo gjuhë, e cila vjen nga një përfaqësuese e zgjedhur e qytetarëve është shqetësuese dhe e rrezikshme për demokracinë në vend”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Tutje, AGK kërkon nga këshilltarja Rafuna që ta heqë sa me parë këtë postim dhe të kërkojë falje publike ndaj gazetares Arta Avdiu ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës të distancohet nga kjo formë linçimi ndaj gazetarëve.

Rafuna ka shkruar në profilin e saj se kinse dikush po mundohet të minimizojnë problemet e LVV-së duke u marrë me LDK.

“Asnjëherë nuk është menduar tërheqja e Arbanit nga gara për të parin e Prishtinës. Lidhja ka qenë e bashkuar dhe fitorja ka qenë e jona nëse nuk do të ishin gjithë ato manipulime dhe parregullsi në balotazh. E di që shumë po mërziten por Lidhja është e para në Kosovë dhe po vendin e parë do ta ketë edhe në zgjedhjet nacionale. #Lidhja bashkë prej Kryetarit e deri te votuesi”, ka shkruar fillimisht Rafuna, për të mos u mjaftuar me kaq.

“Ja arsyeja pse ‘gazetarja’ e KTV-së përpiqet të hedhë mjegull duke dezinformuar për fushatën e LDK-së në Prishtinë. Arta Avdiu, kunata e zëdhënëses së Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurtit është shndërruar në zëdhënëse të zëdhënëses së ‘Babës’”, ka thënë Rafuna.

Kujtojmë se mediat e Grupit Koha ishin të parat që raportuan për çarjet në Lëvizjen Vetëvendosje dhe do të vazhdojnë të raportojnë drejt dhe saktë për gjithë atë që ndodhë në secilën parti, e që konsiderohet se janë në interes të publikut.

KTV sot raportoi për atë se si Abrashi e bëri fushatën si i pavarur, LDK-ja e mendoi ta tërheqë nga gara.