Arbëri

Qeveria miratoi tetë projektligje

Prishtinë, 15 dhjetor - Qeveria e Kosovës ka miratuar sot tetë (8) projektligje dhe vendime të tjera, të cilat do t’i procedohen Kuvendit.

Ndër të tjera, ajo ka miratuar edhe vendimin për ndarjen e parcelës për ndërtimin e kampusit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, në një sipërfaqe prej 7.30 hektarësh, theksohet në komunikatën për media të Qeverisë.

Serisë së projektligjeve të miratuara i ka prirë Projektligji për pajisjet nën presion. Ky Projektligj ka për qëllim të përcaktojë parimet themelore që mundësojnë garantimin e sigurisë së punës së pajisjeve dhe instrumenteve nën presion. Projektligji përcakton kushtet dhe kërkesat themelore të sigurisë që duhet të respektohen nga operatorët ekonomik që prodhojnë, administrojnë apo shfrytëzojnë enët, pajisjet, pajisjet transportuese apo aerosolët.

Projektligji për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim , i miratuar sot, rregullon sistemin e kontabilitetit dhe raportimin financiar të shoqërive tregtare.

Listës së projektligjeve të miratuar në mbledhjen e sotme iu ka shtuar edhe ai për kërkesat teknike për produktet dhe vlerësimin e konformitetit. Ky projektligj rregullon mënyrën e përcaktimit të kërkesave teknike për produkte dhe miratimin e rregulloreve teknike.

për produktet e ndërtimit gjithashtu ka marrë miratimin e Qeverisë së Kosovës. Ai përcakton kushtet për vendosjen apo vënien në dispozicion në treg të produkteve të ndërtimit.

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Stitching SPARK-ut të Holandës ka të bëjë me mbështetjen e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë.

Është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për themelimin e Shkollës rajonale të administratës publike (ReSPA). Republika e Shqipërisë, Bosnja dhe Hercegovina, Republika e Kroacisë, Maqedonia, Mali i Zi, Republika e Serbisë dhe Kosova janë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje. Objektivat e kësaj Shkolle janë: përmirësimi i bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së; fuqizimi i shkëmbimit të përvojave; fuqizimi i kapaciteteve administrative në administratat publike dhe zhvillimi i burimeve njerëzore në administrata publike të vendeve nënshkruese.

Edhe Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit është miratuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme. Ky projektligj rregullon kushtet e tregut në marrëdhëniet biznes – konsumator, të drejtat e konsumatorëve, mbrojtjen administrative dhe gjyqësore të konsumatorëve dhe kuadrin institucional për mbrojtjen e konsumatorit në Republikën e Kosovës.

Projektligji adreson çështjet e rëndësishme në mbrojtje të konsumatorit:

- Të drejtën për të mbrojtur interesat ekonomike të konsumatorit;

- Të drejtën e mbrojtjes së rrezikut të jetës, shëndetit dhe të pronës së konsumatorit;

- Të drejtën e mbrojtjes ligjore të konsumatorit;

- Të drejtën për t’u ankuar;

- Të drejtën për kompensim dhe dëmshpërblim;

- Të drejtën për informim dhe edukim të konsumatorit;

- Të drejtën e shfrytëzimit të shërbimeve publike;

- Të drejtën e organizimit në shoqata për mbrojtje të interesave të konsumatorit;

- Të drejtën për të përfaqësuar interesat e konsumatorit.

I fundit që ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar, në mbledhjen e sotme, ka qenë Projektligji për veprimtarit hidrometeorologjike në Republikën e Kosovës. Ai ka për qëllim të përcaktojë mënyrën e kryerjes së veprimtarisë hidrometeorologjike, sistemin e paralajmërimit, ekspertizën, produktet dhe shërbimet që ofrohen nga kjo veprimtari. Projektligji përcakton formën e mbështetjes me informata të institucioneve qendrore dhe lokale, publikut dhe institucioneve ndërkombëtare dhe rajonale.

Me kërkesë të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, janë ndarë 30 mijë euro për rehabilitimin e familjarëve të personave të zhdukur.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës për miratim të nismës për lidhjen e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Financiar Ushtarak me Protokollet Implementuese në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e 73 mijë e 826 eurove për mbulimin e shpenzimeve të Kampionatit Evropian për Regjione.