Arbëri

Pacolli ka tjetër datë për vizat në krahasim me shefin e tij në ekzekutiv, ky e lidh me demarkacionin

Derisa shefi i tij në ekzekutiv, Ramush Haradinaj, thotë se vizat do të liberalizohen në mars, Behgjet Pacolli, numri dy në Qeveri e ministër i Punëve të Jashtme ka tjetër datë.

Pacolli e lidh me këtë proces me ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, gjë të cilën Haradinaj nuk e përmend në raport me vizat, duke qenë kundër marrëveshjes që Kosova e ka arritur me Malin e Zi për kufirin.

Pacolli, ka thënë se nëse në shkurt të vitit 2018 Kuvendi ratifikon Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, atëherë qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në qershor.

Pacolli, në një intervistë për Dukagjinin, ka thënë se çështja e Demarkacionit me Malin e Zi duhet të përfundojë para festës së Pavarësisë së Kosovës.

“Në Bruksel na thuhet se shumë shpejt do të kemi liberalizim të vizave. Do të kemi liberalizim të vizave deri në qershor, nëse në shkurt miratohet Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi”, tha Pacolli.

Ai tha se nëse në shkurt nuk miratohet Demarkacioni, nuk di se çfarë do të ndodhë me çështjen e liberalizmit të vizave.

Nga ana tjetër, sipas Haradinajt, pak ditë pasi kosovarët do të festojnë dhjetëvjetorin e pavarësisë, ata do të marrin dy lajme që i kanë pritur gjatë. Ai ka thënë se në liberalizimi i vizave dhe themelimi i ushtrisë të ndodhin në muajin mars të vitit të ardhshëm.